Telenews

Shtetet e QUINT-it bëjnë thirrje për lirimin “e pakusht” të tre policëve të kidnapuar

Kidnapimi i zyrtarëve policorë të Kosovës vazhdon të mbetet enigmë. Derisa autoritetet kosovare thonë se ata u kapën brenda territorit të vendit, Serbia pretendon se u gjetën thellë në territorin e tyre. Megjithatë, disa prej shteteve anëtare të QUINT-it e kanë bërë të ditur se po kërkojnë lirimin e të të tre policëve.

Thirrjen e tyre për t’i liruar policët e kidnapuar, të parët nga shtetet e QUINT-it e theksuan SHBA-të. Përmes zëdhënësit të Departamentit Amerikan të Shtetit, u kërkua lirimi i pakusht i tyre, shkruan gazeta online Reporteri.net.

“Ne besojmë se si Kosova dhe Serbia duhet të marrin masa për të shtensionuar situatën dhe kjo përfshin lirimin pa kushte të tre oficerëve të policisë së Kosovës që u ndaluan së fundmi”, deklaroi zëdhënësi i DASH, Mattheë Miller, në konferencën e përditshme për shtyp, të enjten.

Zëdhënësi Miller shtoi edhe se SHBA-ja dënon “dhunën e papranueshme ndaj forcave të KFOR-it, anëtarëve të zbatimit të ligjit dhe gazetarëve”.

Zëdhënësi i DASH, Mathew Miller, në konferencën për media

Rastin e të tre policëve kosovarë e ka komentuar edhe emisari i SHBA-së, Gabriel Escobar, gjatë një bashkëbisedimi me gazetarë të premten.

“Kemi ndjekur rastin e arrestimit të të tre policëve të Kosovës. Janë dy skenarë, një se ata janë kidnapuar nga brenda territorit të Kosovës dhe janë dërguar në Serbi, ose ata pa dashje kanë kaluar kufirin ku kanë gjetur veten brenda territorit të Serbisë. Në çfarëdo rasti, është e qartë se këta policë nuk kishin qëllim të ishin në Serbi dhe duhet të lirohen”, ka theksuar Escobar.

Pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe kërkoi lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës.

Në reagimin e Qeverisë britanike po ashtu iu bë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga veprimet e njëanshme dhe të ndërmarrin masa për të ulur tensionet.

“Ne bëjmë thirrje për lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës të ndaluar më 14 qershor. Po ashtu, ne i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen, të shmangin masat e njëanshme dhe të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të ulur tensionet”, thuhet në reagim.

Qeveria britanike po ashtu i ka bërë thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti që të sigurojë që kryetarët e zgjedhur të komunave të kryejnë detyrat e tyre kalimtare nga lokacione alternative jashtë ndërtesave komunale dhe që njësitë speciale të policisë të tërhiqen nga ndërtesat komunale.

E ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, ka kërkuar lirimin e pakushtëzuar të të tre policëve, duke shtuar se Beogradi dhe Prishtina duhet të bëjnë gjithçka që është e mundur për ta qetësuar këtë situatë të pasigurt.

Ajo përsëriti se e ardhmja e vendeve të Ballkanit Perëndimor është në Evropë dhe është projekti më i rëndësishëm i politikës së jashtme të BE-së për ta.

“Ky është prioriteti ynë i rëndësishëm. Ne ju duam në BE. Ne po shkojmë në këtë rrugë me ju dhe jemi në krahun tuaj dhe ju mbështesim me të gjitha forcat tona”, ka thënë ajo.

KFOR: “Nuk dihet se ku kanë qenë policët në kohën e arrestimit”

Misioni i NATO-s në Kosovë është deklaruar pas hetimeve në rastin e kidnapimit të të tre zyrtarëve të Policisë së Kosovës, të cilit ata iu referuan si arrestim, shkruan tutje Reporteri.net.

KFOR tha se nuk është e qartë se ku kanë qenë tre policët e Kosovës, “në kohën e arrestimit nga forcat serbe”.

“Pas arrestimit të tre zyrtarëve të Policisë së Kosovës, më 14 qershor, misioni i KFOR-it, i udhëhequr nga NATO-ja, ka rishikuar vendndodhjen e ngjarjes dhe ka folur me përfaqësues të institucioneve në Kosovë dhe me autoritetet serbe. Bazuar në të dhënat e disponueshme, mbetet e paqartë se ku kanë qenë zyrtarët e Policisë së Kosovës në momentin e arrestimit”, u tha në komunikatën e KFOR-it, dërguar mediave.

Von Cramon, zyrtarja e parë ndërkombëtare që e pranon se tre policët u kapën brenda territorit të Kosovës

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, është e para nga bashkësia ndërkombëtare që ka pranuar se tre zyrtarët policorë janë kapur nga forcat serbe brenda territorit të Kosovës.

BE dhe KFOR e kanë kualifikuar si “arrestim” kidnapimin e policëve dhe kanë thënë se po presin nga NATO mbledhjen e informacioneve. SHBA ka kërkuar lirimin e menjëhershëmdhe pa kushte të policëve

Në një reagim në Twitter që ka bërë mbrëmë, Cramon ka thënë se është është e paligjshme hyrja e forcave speciale të Serbisë në territorin e Kosovës dhe “lidhja e policëve si kriminelë lufte”.

Zyrtarja evropiane ka thënë se në bazë të informacionit të qasshëm, zyrtarët policorë të Kosovës nuk kanë lëvizur makinat e tyre, por kanë ecur në këmbë në zonën kufitare me Serbinë.

“Edhe nëse ky operacion i nënshtrohet ligjërisht një njoftimi, është e paligjshme që të hysh në territorin e Kosovës me forcat speciale të Serbisë dhe të lidhësh zyrtarët policorë si kriminelë lufte, dhe t’i dërgosh në Beograd”, ka shkruar ajo.

Të ngajshme

PDK me tubim të madh në Drenas, Hamza: Drenasi do ta gëzojë vëmendjen që e meriton në qeverisjen time

Erzana Fazliu

Haradinaj merr mbështetje në Korishë, premton uljen e çmimit të energjisë elektrike

Erzana Fazliu

Villa Bellevue: Relaks dhe Luks afër liqenit të Batllavës

Erzana Fazliu