Pika e vetme për të cilën u tha se janë pajtuar në Bruksel kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.
Dy udhëheqësit zhvilluan më 22 qershor takime të ndara me shefin e politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.
“Takimi nuk u fokusua shumë në çka, por në atë se si dhe kur”, tha Borrell.
BE-ja dhe pjesa tjetër e komunitetit ndërkombëtar ka kohë që kërkojnë nga Qeveria e Kosovës ta shtensionojë situatën në veri.
Kjo zonë u tensionua qysh në fund të majit, kur kryetarët shqiptarë të komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, hynë në objektet komunale, me gjithë protestat e banorëve serbë.
Këto objekte shfrytëzohen edhe nga autoritetet paralele serbe, ndërsa vetëm në Mitrovicë të Veriut, komuna e Kosovës është e ndarë prej asaj që funksionon nën sistemin serb.
Protestat kulmuan në dhunë më 29 maj në Zveçan, ku dhjetëra pjesëtarë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, dhe dhjetëra protestues u plagosën.
Nga ajo kohë, Policia e Kosovës arrestoi disa serbë të dyshuar për akte dhune ndaj forcave policore, pjesëtarëve të KFOR-it dhe gazetarëve në veri.
Zgjedhjet e prillit, prej të cilave dolën kryetarët shqiptarë, u bojkotuan nga komuniteti serb dhe përfaqësuesit e tij politikë.
Zgjedhjet e reja dhe pjesëmarrja e serbëve në to tani shihen si zgjidhje.
Çka kërkoi BE-ja?
Janë tri kërkesa kryesore që, sipas Bashkimit Evropian, Qeveria e Kosovës duhet t’i pranojë “sa më parë që të jetë e mundur”.
Një prej tyre është shpallja e zgjedhjeve të parakohshme në veri të vendit.
Kurti u pajtua me këtë, por me kushtin që ato të jenë “zgjedhje ligjore”.
“Nuk mund të bëhen zgjedhjet e parakohshme jashtë ligjit. Siç e parasheh ligji në Kosovë – ta zëmë, me nënshkrimet e qytetarëve, të cilët i mbledhin përmes një peticioni, që t’ia përfundojnë mandatin një kryetari të komunës. Kjo është një zgjidhje brenda ligjit”, tha Kurti pas takimit me Borrellin në Bruksel.
Në një konferencë për media po atë ditë, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, Lista Serbe, kërkoi “dorëheqjen e kryetarëve shqiptarë” si një rrugë që mund të çojë drejt zgjedhjeve të reja.
Kurti, më herët, ka thënë se nuk ka të drejtë t’u kërkojë dorëheqje kryetarëve të zgjedhur, sepse ajo është një akt moral.
Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, Izmir Zeqiri, kryetari aktual i Zubin Potokut, tha se nuk është duke menduar për zgjedhje, edhe pse ato janë duke u përmendur.
“Si dorëheqje, pse dorëheqje? Vetëm se i teket dikujt të thotë të jap dorëheqje, unë të dorëhiqem, a?”, u shpreh Zeqiri.
“Ne i shohim rrugët ligjore, nuk mendojmë për zgjedhjet. Njëherë jemi duke punuar, do të punojmë sa të mundemi”, tha ai.
Kryetarët e tjerë të komunave veriore nuk ishin të qasshëm për komente në lidhje me këtë çështje.