Që nga fundi i viti 2015 e deri me sot, ende nuk është zbardhur vrasja e Donjeta Pajazitajt, trupi i të cilës ishte gjetur në bjeshkët e Strellcit, në Komunën e Deçanit.
Donjeta Pajazitaj dyshohet se me 9 nëntor 2015, kishte dalë nga shtëpia e saj për të shkuar në punë dhe të njëjtën ditë ishte zhdukur, derisa trupi i saj ishte gjetur pas një muaji në bjeshkët e Strellcit. E vrarë me dy plumba në kokë.
Për vrasjen e saj, drejtësia në Kosovë ka nxjerrë të dyshuar kushëririn e viktimës, Naser Pajazitajn, por pasi Supremja e ka nxjerrë të njëjtin të pafajshëm, tashmë nuk ekziston asnjë i dyshuar për vrasjen e 24 vjeçares.
Hetimet në këtë rast kanë nisur që nga dhjetori i viti 2015, derisa aktakuza me të dyshuarin Naser Pajazitajn si vrasës i Donjeta Pajazitajt ishte ngritur me 8 qershor 2017.
Që nga fillimi i gjykimit në këtë rast, gjykatat kanë vendosur nëntë herë, nga katër herë gjykata e shkallës së parë dhe ajo e Apelit dhe një aktgjykim të Gjykatës Supreme. Në të gjitha aktgjykimet, të gjitha gjykatat kishin marrë vendime të ndryshme në lidhje me zbardhjen e këtij rasti, kur në fund epilogun kryesor e kishte vendosur Gjykata Supreme e Kosovës e cila ka vendosur që Naser Pajazitajt të lirohet nga akuza.
Pajazitaj kishte mbajtur shtatë burg për një vrasje, e cila sipas Supremes rezultoi se i njëjti nuk e kishte kryer.
Gazeta Online Reporteri.net sjell një analizë dhe lexim të aktgjykimit lirues të Gjykatës Supreme ndaj Naser Pajazitajt. Aktgjykimi i plotë u publikua dje nga Supremja, derisa u shpall para një muaji, më 6 prill 2023. Lexoni edhe historikun e gjykimit të rastit të vrasjes së Donjeta Pajazitaj, dhe konstatimet e ekspertizave jashtë vendit, përfshirë asaj të FBI’të, që u kryen rreth këtij krimi.
Gjykata Supreme e Kosovës me 6 prill 2023, ka gjetur se Pajazitaj gabimisht është shpallur fajtor nga të dyja gjykatat, pasi sipas Supremes provat në këtë rast janë interpretuar gabimisht në dëm të të dënuarit.
Supremja pretendon se Gjykata Themelore në Ferizaj, nuk ka arritur të vërtetojë se në ditën kur ishte zhdukur Donjeta Pajazitaj, e njëjta kishte hipur në veturën e Naser Pajazitajt, pasi sipas Supremes në video-incizim, shihet se dera e veturës nuk ishte hapur e mbyllur. Këtë fakt Supremja thotë se e vërteton edhe raporti i Agjencionit të Forenzikës, ku thuhet se nga incizimi i kamerës nuk vërehet hapja apo mbyllja e derës së veturës.
Supremja arsyeton se me asnjë provë nuk është vërtetuar fakti se e ndjera në ditën e zhdukjes kishte hipur në veturën e të akuzuarit. Kjo gjykatë ka përmendur disa fakte të cilat e vërtetojnë se e ndjera nuk kishte hipur në veturën e të akuzuarit, pasi sipas Supremes asnjë dëshmitarë nuk e ka pohuar këtë fakt.
Në këtë raport, sipas Gjykatës Supreme konstatohet se nuk është provuar se qimet e flokut apo qimet e tjera që janë tërheqë nga vetura e të akuzuarit të kenë çfarëdo lidhje me viktimën Donjeta Pajazitaj. Ky fakt sipas Supremes e përjashton mundësinë që e ndjera të ketë hipur në veturën e të akuzuarit, në ditën kur ishte zhdukur.
Lidhur me raportin e ekspertizës nga Laboratori i Kriminalistikës të TNP-së në Ankara të Turqisë, Gjykata Supreme vlerëson se nga ky raport vërtetohet se nga shikimi në incizime nuk ka mundur të bëhet identifikimi i tabelave si dhe identifikimi i personave në automjetin e të akuzuarit Naser Pajazitaj në ditën kur ishte zhdukur Donjeta, dhe në të cilën veturë gjykata e shkallës së parë ka vlerësuar se ka qenë e ndjera.
Lidhur me hyrjen e të ndjerës në veturën e të akuzuarit, gjykata e shkallës së parë e kishte vërtetuar përmes dëshmisë së dëshmitarit Q.J., e që sipas Supremes, dëshminë e këtij dëshmitari gjykata e shkallës së parë e ka përshkruar në pjesën e dëshmitarit tjetër A.M., pra duke ia zëvendësuar dëshminë.
Sipas Supremes ky dëshmitar, vetëm e ka pohuar faktin se ishte personi që shihej në incizim të kamerave dhe se është takuar me zyrtarin policor A.M, por asnjëherë nuk e ka vërtetuar faktin se e ndjera ka qenë në veturën e Naser Pajazitajt. Supremja po ashtu, në lidhje më këtë dëshmitar ka thënë se ai ka dhënë deklaratë të ndryshme, pasi kur është ballafaquar me dëshmitarin A.M, ka thënë se për herë të parë e ka takuar në gjykatë, duke e mohuar deklaratën e mëparshme të tij se ishte takuar me A.M, në ditën kritike.
Po ashtu sipas Supremes, në lidhje me zyrtarin policor, dëshmitarin A.M, i njëjti kishte përpiluar një raport zyrtar për bisedën që e kishte zhvilluar me dëshmitarin Q.J., dhe se gjykata e shkallës së parë, dëshminë e Q.J., e zëvendëson me dëshminë e A.M., e që sipas Supremes gjykata e shkallës së parë kësaj dëshmie i ka dhënë rëndësi përfundimtare.
Supremja e ka kontestuar edhe arsyetimin e gjykatës së shkallës së parë e cila ja konstatuar se “…vërehet që mbyllet dera e veturës nga ana e majtë dhe vetura niset në fillim me shpejtësi normale të nisjes dhe menjëherë shihet qartë përmes video incizimit se me të madhe rritet shpejtësia e lëvizjes se veturës…” për të vazhduar tutje “…dhe atë në ora 13:44 e që brenda periudhës kohore deri në ora 14:30 nuk shihet asnjë veturë duke lëvizur në të njëjtin drejtim…”
Sipas Supremes, me asnjë provë nuk konstatohet ndalja e veturës e as nisja e saj e aq më pak hapja dhe mbyllja e derës së veturës, dhe i cili fakt Supremja thotë se vërtetohet përmes raportit të AFK-së, ku konstatohet se nuk vërehet hapje apo mbyllje e derës.
Lidhur me një video incizim të regjistruar nga një kamerë e një shtëpie e cila provë ishte administruar dhe marrë parasysh nga Themelorja dhe Apelit, Supremja nuk është pajtuar me të dyja gjykatat, për shkak e sipas kësaj të fundit, nuk është kontestuar fakti se në ditën kur është zhdukur Donjeta kishte kaluar një veturë e ngjashme me veturën e të akuzuarit dhe se gjykata e shkallës së parë kishte konstatuar se “… kjo veturë është e njëjta me veturën siç ishte regjistruar me kamera te shtëpia e N.J., përkatësisht vetura e të pandehurit…”
“Nga ekspertiza e ekspertëve të forenzikës, të cilët përmes metodat të qartësimit dhe zmadhimit të imazheve të incizimi për të vërtetuar faktin nëse vetura që shihet në kamera ishte vetura e njëjtë që shihet edhe në kamerën tjetër pra vetura e të akuzuarit, nuk ishte arritur të vërtetohet se vetura e njëjtë shihet në të dyja kamerat”, thuhet në vendimin e Supremes lidhur me incizimet e vendit të ngjarjes, ku shkalla e parë ka pretenduar se e ndjera ka qenë në veturën e të akuzuarit.
Me qëllim të matjes së distancës në mes të dy shtëpive ku janë marrë incizimet e rrugës, gjykata e shkallës së parë kishte dalë në vendin e ngjarjes duke angazhuar edhe ekspertë të gjeodezisë, që sipas Supremes, gjetjet e gjykatës nuk përkojnë me vërtetësinë e provave që janë nxjerrë kur është bërë dalja në vend të ngjarjes.
“Gjithsesi, kjo provë e ndërlidhur edhe me provat tjera e përjashton mundësinë e kalimit të veturës së të pandehurit rreth shtëpisë së G.A. dhe e përforcon argumentin se lëvizja e tij ishte bërë kah shtëpia e N.J. për të vazhduar te varrezat e fshatit S., meqë nuk ishte e mundur sipas matjeve të bëra që distanca prej pemës-afër shtëpisë së N.J. deri te shtëpia e G.A. të kalohet për kohën prej 38 sekonda”, konstaton Supremja.
Në lidhje me vendin e gjetjes së trupit të Donjetës, ku raporti i policisë i datës thotë se me 17 dhjetor 2015 trupi i të ndjerës ishte gjetur në vendin e quajtur “Kroni i Lajthisë”, 80 metra larg pikës së rrugës dhe se aty ka qenë një tjetër rrugë që shpi në pyll në drejtim të lindjes duke vazhduar nëpër këtë rrugë rreth 20 metra larg në krahun e djathtë shihet trupi i pajetë.
Sipas Supremes, shkalla e parë nuk e merr parasysh këtë raport duke anashkaluar disa rrethana se si arriti Naser Pajazitaj që prej automjetit të tij ta dërgojë të ndjerë në vendin ku ishte gjetur turpi i saj.
Ky faks sipas Supremes lidhet me gjendjen fizike të Naser Pajazitajt, i cili nga provat del që kishte vështirësi në të ecur, fakt që sipas Supremes, e kishte konstatuar edhe shkalla e parë ku si rrethanë lehtësuese në shpalljen e aktgjykimit kishte konstatuar se “…i njëjti për shkaqe shëndetësore nuk mund të ecë në mënyrë normale, pra pa përdorimin e shkopit për ecje…” ).
Pra sipas Supremes gjykata nuk e ka vërtetuar nëse Naser Pajazitaj duke marrë parasysh gjendjen e tij fizike dhe gjendjen fizike të të ndjerës (person në moshë të re dhe me gjatësi rreth 1.70 cm), ta kryejë këtë vepër penale, duke marrë parasysh vendin ku është gjetur trupi, pra vend malor I rrethuar me shkurre e drunjë të lartësive të ndryshme.
“Pra, gjykata e shkallës së parë do të duhej që bazuar në këto rrethana të vinte në përfundim se si arriti i pandehuri që të ndjerën ta nxjerr nga vetura e tij të e dërgojë në vendin e ekzekutimit dhe ta ekzekutojë atë me dy plumba në kokë”, thuhet në vendimin e Supremes.
Sipas Supremes, vet ekspertiza e AND-së e përpiluar ne Agjencioni i Forenzikës ka konstatuar se në vendin e ngjarjes ku ishte gjetur trupi i të ndjerës nuk ka përputhshmëri me mostrat e marra të të pandehurit.
Supremja ka përmendur edhe një provë tjetër e cila ka qenë prova kryesore me të cilën është dënuar me burgim të përjetshëm Naser Paajzitaj “telefonata e tij në ditën kritike, me crast ishte aktivizuar antena në Bjeshkët e Strellcit”.
Lidhur me këtë provë, gjykata e shkallës së parë e ka marrë si provë vendimtare se “e aktivizimi i kësaj antene paraqet provë të sigurt se i pandehuri në këtë kohë ishte në këtë vend dhe me këtë edhe kryerës i kësaj vepre penale”.
Gjykata e shkallës së parë, për këtë provë kishte angazhuar zyrtar policor për dalje në vendin e ngjarjes, në vendin “Kroi i Lajthisë”, në nëntor 2020, ku ishte gjetur trupi I viktimës dhe nga aty të realizohen thirrje telefonike dhe pastaj është përpiluar një raport I PTK-Vala për mbulimin e kësaj zone me antena për aktivizim të thirrjeve telefonike.
Sipas Supremes, nga ky raport është vërtetuar se aktivizimi i antenave nuk mund të merret si provë e sigurt për vendndodhjen e të pandehurit ditën kritike, për shkak se sipas Supremes, del që edhe pse thirrjet ishin bërë nga vendi ku ishte gjetur trupi i viktimës, janë aktivizuar antena të ndryshme, por asnjëherë nuk ishte aktivizuar antena me të cilin vërtetohet se i ndjeri ka qenë në vendin e ngjarjes.
“Përmes këtyre provave përjashtohet çfarëdo ndërlidhje se aktivizimi i një antene të caktuar në këtë rast i antenës Z., në telefonatën e të pandehurit me datë 09.11.2015 në ora 15:19, nënkupton edhe prezencën e tij në afërsi të këtij vendi.”, thuhet në vendimin e Supremes.
Supremja këtë provë e ka ndërlidhur edhe me ekspertizën mjeko ligjore, raportin e autopsisë dhe raportin e ekspertit të mjekësisë ligjore i cili ka thënë se nuk është vërtetuar në mënyrë të saktë koha e vdekjes së të ndjerës, ndërsa sipas Supremes, shkalla e parë thotë se dita e zhdukjes së Donjetës ishte edhe dita e vrasjes së saj, pra sipas Supremes ky është konstatim i pabazuar dhe i pambështetur në prova.
Gjykata Supreme ka dhënë konstatim edhe në lidhje me deklaratën e të akuzuarit Naser Pajazitaj që sipas tyre, shkalla e parë nuk i ka dhënë arsyet se pse nuk i besoj deklaratës së tij dhe nuk i është bërë analizë kontekstit kohor të mbrojtës së tij pasi i njëjti deklaratën e kishte dhënë në dhjetor 2015, ndërsa gjatë gjykimit ishte mbrojtur në heshtje.
Sipas Supremes, gjykata e shkallës së parë nuk ka bërë ndarje të deklarimit të dëshmive të Naser Pajazitajt në cilësinë e dëshmitarit dhe atë në cilësinë e të pandehurit, dhe se gjykata në kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale i ka vlerësuar deklarimet e tij bashkërisht.
Supremja ka përmendur edhe disa fakte që ndërlidhën me deklaratën e Naser Pajazitajt, i cili kishte mohuar se në ditën kritike e kishte takuar viktimën dhe kishte deklaruar se ka qenë në një varrim, që sipas Supremes dy dëshmitar gjatë gjykimit kanë pranuar se e kanë parë atë në varrim, ndërsa të tjerët kanë deklaruar se nuk e kanë parë, e që Supremja thotë se nuk duhet anashkaluar fakti se në varrim marrin pjesë shumë njerëz.
“Gjykata Supreme e Kosovës, vlerëson se edhe nëse do të vërtetohej me siguri të plotë fakti se i pandehuri nuk kishte marrë pjesë në varrim, megjithatë kjo nuk e ndërlidhë automatikisht të pandehurin me kryerjen e vrasjes së të ndjerës”, thuhet në vendimin e Supremes.
Sipas Supremes, në këtë çështje penale nuk ka pasur asnjë provë që ka vërtetuar se Naser Pajazitaj ka kryer vrasjen e Donjeta Pajazitajt, dhe sipas Supremes edhe provat indirekt nuk e përjashtojnë mundësinë që kryes i vrasjes të jenë persona të tjerë, pasi sipas këtij vendimi hetimet në këtë rast janë anashkaluar dhe janë përqendruar vetëm tek Naser Pajazitaj e jo tek persona të tjerë.
Pra, sipas Supremes për gjykimin e një rasti bazuar në prova duhet të sigurohen prova që të mbyllet qarku dhe të përjashtohet mundësia që persona të tjerë të jenë kryes të veprës penale.
Supremja ka përmendur edhe faktin që në këtë çështje penale procesi gjyqësor ka zgjatur rreth tetë vite, që sipas tyre, kjo zgjatje duhet ti atribuohet edhe Prokurorisë e cila zhvilloi fazën e hetimeve, më hetime jo të plotë, të cilat kanë bërë që gjykata disa herë të sigurojë prova të reja për të ndriçuar këtë vrasje.
Supremja në vendim të saj thuhet se shpreh shqetësim për standardet e aplikuara nga ana e Prokurorisë dhe dy gjykatat, asaj Themelore dhe të Apelit, të cilat sipas Supremes përdorën standard minimale të të provuarit dhe shqiptuan dënime maksimale pa një vlerësim dhe analizë të mirëfilltë të provave.
Gjykata Themelore në Pejë, në mars të vitit 2018, të akuzuarin Naser Pajazitaj, në mungesë të provave e kishte liruar nga akuzat për vrasjen e Donjeta Pajazitaj.
Mirëpo, pas ankesës së prokurorisë, Gjykata e Apelit e kishte kthyer këtë lëndë në rigjykim, pasi kjo gjykatë ka vlerësuar se provat e administruara nga shkalla e parë, nuk janë vlerësuar në mënyrë të drejtë, prandaj edhe vlerësimet qe ka nxjerrë gjykata e shkalles se parë janë të gabuara.
Pas kthimit në rigjykim, Gjykata Themelore në Pejë, edhe pse herën e parë nuk e kishte gjetur fajtor Pajazitajn, pasi rastin e ka trajtuar edhe një herë, në mars të vitit 2019, e kishte shpallur fajtor duke e dënuar me burgim të përjetshëm.
Gjykata Pajazitajn herën e dytë e kishte dënuar për shkak se ishte shfaqur një provë e re, lista e thirrjeve që Naser Pajazitaj e ka bërë në ditën kur ishte zhdukur Donjeta, e cila provë nuk ka qenë në fazën e hetimeve. Sipas gjykatës, pasi Pajazitaj e kishte marrë me veturë të ndjerën ditën kur ishte zhdukur sipas thirrjeve telefonike ishte aktivizuar antena e cila mbulonn bjeshkën e Strellcit, pikërisht vendi ku ishte gjetur trupi i viktimës.
Kjo provë e re ka rezultuar që edhe Gjykata e Apelit në korrik të vitit 2019, të vërtetojë këtë vendim.
Por edhe pse Naser Pajazitaj ishte dënuar me burgim të përjetshëm, Gjykata Supreme e Kosovës në nëntor të vitit 2019, kishte vendosur që i njëjti të gjykohet edhe një herë për vrasjen e Donjeta Pajazitajt. Gjykata Supreme i kishte prishur të dy aktgjykimet e Gjykatës Themelore në Pejë dhe të Gjykatës së Apelit dhe lëndën e kishte kthyer në rigjykim.
Kjo gjykatë ka vlerësuar se dy gjykatat kanë shkelur dispozitat e procedurës penale, pasi sipas Supremes nuk ka vlerësuar drejtë disa telefonata që ka marrë e ndjera nga një person dhe se kamerat që janë administruar gjatë gjykimit duhet të vërtetohej pse nuk pa pasur vazhdimësi të regjistrimit. Po ashtu, lidhur me listës së thirrjeve lidhur me vendndodhjen e të akuzuarit, e cila ka qenë provë e re sipas gjykatës së shkallës së parë, Supremja kishte kërkuar të angazhohet një ekspert i lëmisë përkatëse, për të qartësuar faktin e aktivizimit të antenave në ditën kritike.
Gjykata e Apelit kishte vendosur që ta përjashtoje nga gjykimi i rastit Gjykatën Themelore në Pejë, dhe kishte angazhuar Gjykatën Themelore në Ferizaj për të gjykuar këtë rast, me arsyetimin për të mënjanuar dyshimet ndaj sistemit të drejtësisë.
Sipas Apelit, këtë vendim e ka marrë për faktin se në këtë çështje penale kishin marrë pjesë të gjithë gjyqtarët në Departamentin e Krimeve të Rënda dhe me qëllim të mos krijohen dyshime në objektivitetin dhe paanshmërinë.
Në maj të vitit 2021, edhe Gjykata Themelore në Ferizaj e kishte gjetur fajtor Naser Pajazitajn për vrasjen e Donjetës duke e dënuar me burgim të përjetshëm. Por, Gjykata e Apelit gjen se shkalla e parë ka shkelur ligjin penal, prandaj e njëjta gjykatë vendos që rasti të gjykohet edhe një herë.
Gjykata Themelore në Ferizaj, me 27 korrik 2022, edhe pasi rasti ishte kthyer në rigjykim, prapë kishte gjetur fajtor Naser Pajazitaj për vrasjen e Donjetës duke ia shqiptuar dënim të njëjtë, dhe atë me burgim të përjetshëm.
Gjykata e Apelit, në tetor 2022, e ka ndryshuar këtë vendim duke e dënuar Pajazitajn me një dënim më të lehtë dhe atë me 35 vite burgim.
Për dallim nga Themelorja dhe Apeli, Gjykata Supreme e Kosovës ka marrë vendim që Pajazitaj të përfundimisht të lirohet nga akuza, me arsyetimin se i njëjti gabimisht është shpallur fajtor për vrasjen e Donjetes nga të dyja gjykatat.
Sipas Supremes, provat me të cilat dy gjykatat e kanë shpallur fajtor Pajazitajn janë interpretuar në mënyrë të gabuar dhe në dëm të Pajazitajt. /Reporteri.net/.