Rajan Arapi, ish-drejtor për Urbanizëm në Komunën e Pejës, tash asamblist i PDK-së në këtë komunë, ishte shantazhuar nga Argjend Rama, i cili kishte miqësi të mirë me të. Ai ia kishte kërkuar shumën prej 20 mijë eurove, nën kërcënimin se do t’i publikojë bisedat me të dhe do t’ia dëmtojë nderin. Nga ajo çfarë merr vesh Gazeta , Arapi dhe Rama ishin të përfshirë në një aferë, ku Ramës iu ishin premtuar një shumë e të hollave në këmbim të veprimeve seksuale. Rastin më pas në polici e kishte raportuar asamblisti i PDK-së, për çka ishte arrestuar ish-miku i tij.
Argjend Rama u arrestua më 25 tetor për veprën penale “Shantazh”. Sipas versionit të Prokurorisë, Rama, i cili kishte afërsi me Arapin, e kishte shantazhuar ish-drejtorin e Urbanizmit të Komunës së Pejës për lajmërim të aferës. Në mënyrë që mos ta bëjë një gjë të tillë, ai i ka kërkuar 20 mijë euro.
“Me parë e gjerë me datë 24.10.2023 në Pejë, me qellim te përfitimit te kundërligjshëm te dobisë pasurore për vete, kanos personin tjetër dhe atë te dëmtuarin Rajan Arapi se do te lajmojë një rast ne lidhje me të që do t’ia dëmtoje nderin dhe me këtë tenton ta detyroje te njëjtën te veproje ne dem pasurisë se tij, ne atë mënyre qe, i pandehuri Argjend duke shfrytëzuar situatën ku me te dëmtuarin kishte një raport te mire shoqëror dhe i njëjti përmes rrjeteve sociale kërkon nga i dëmtuari Rajan 20.000 (njëzetmijë) euro, ose ne te kundërtën do te lajmëroj një rast ne polici dhe do e marr vesh edhe familja e tij, e me ç`rast i dëmtuari Rajan detyrohet ta lajmërojë rastin ne polici”, thuhet në raportin e Prokurorisë, që e ka siguruar Insajderi.
I dyshuari ishte arrestuar më 25 tetor të këtij viti, teksa Prokuroria kishte kërkuar që të dyshuarit t’i caktohet masa e paraburgimit.
Asamblisti Arapi dyshohet në këmbim të veprimeve seksuale ia kishte premtuar një shumë parash Ramës. Madje, sipas një burimi të Insajderit, Arapi ia kishte paguar 10 mijë eurove pas shantazhit nga i dyshuari.
Për kryerjen e kësaj vepre penale, çdoherë sipas Prokurorisë, u dëshmua edhe në emailet dhe bisedat e shkëmbyera ndërmjet Arapit dhe ish-drejtorit të Urbanizmit.
Nga ajo çfarë i kanë thënë burimet mediumit, pagesa erdhi pasi i dyshuari kishte ruajtur bisedat me të dëmtuarin dhe e kishte shantazhuar në vazhdimësi.
Insajderi ka provuar të kontaktojë përmes telefonit asamblistin Arapi për ta pyetur se si i ka siguruar këto të holla, mirëpo ai nuk ka qenë i qasshëm. Ka kontaktuar me të dëmtuarin edhe përmes emailit, mirëpo deri në momentin e publikimit të artikullit nuk ka marrë ndonjë koment.
Nga ajo çfarë ka parë Insajderi prej deklarimit të pasurisë së Arapit më 2020-ën, ai nuk kishte të holla të mjaftueshme të deklaruar në bankë në krahasim me shumën të cilën ia ka dhënë Ramës.
Arapi nga deklarimi i fundit i pasurisë, kishte të deklaruara të holla të tijat 3,461 euro në bankë. Ndërkaq, në Agjencinë Anti-Korrupsion ai deklaronte edhe 9,700 euro në posedim të bashkëshortes dhe 10,600 euro para që i takonin fëmijëve të tij.
Arapi si asamblist tash paguhet nga 556 në 630 euro në muaj.
Ai punon edhe si profesor në kolegjin UBT që nga 2017-a ku paguhet 1040 euro në muaj, sipas një përllogaritje nga deklarimet e të hyrave vjetore të tij.
Madje, Arapi në 2020 ka të deklaruar një kredi në vlerë prej 65 mijë eurosh për blerje të banesës.
Sipas Prokurorisë, Argjend Rama kishte edhe vepra të mëhershme penale.
Në rast se shpallet i fajshëm, për të parashihet dënimin prej 6 (gjashtë) muaj deri në 5 (pesë) vite burgim.
Rajan Arapi ishte përballur më herët me drejtësinë
Arapi ishte arrestuar më 2021-ën bashkë me dy zyrtarë komunalë të tjerë të Pejës dhe po hetohej për vepra penale të korrupsionit. Ai u arrestua gjatë një operacioni të Prokurorisë së Pejës, ku u patën arrestuar katër drejtorë të urbanizmit nëpër komunat e rajonit të Dukagjinit.
Sipas Prokurorisë, drejtori i Urbanizmit dyshohej se kishte blerë banesë nga kompania “Dukagjini”, së cilës i kishte lëshuar leje për mbi ndërtim, në kundërshtim me ligjin.
Përpos lejes për kompaninë Dukagjini, dyshimet për keqpërdorim u shfaqën edhe për lëshimin e lejes ndërtimore për kompaninë “ART Com” për ndërtimin e objekteve banesore. /Telenews/