Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e mbajtur ka njoftuar se ka marrë vendim për rritjen e shtesave e rrezikshmërisë për policët. Por, vlera e ndarë po konsiderohet e papranueshme nga Sindikata e Policisë.
Imer Zeqiri, kryetar i Sindikatës së Policisë së Kosovës tha se ky propozim është i pranueshëm dhe janë ulur qind për qind shtesat e rrezikshmërisë.
Sipas tij policia rendit më parë kishin marrë shtesa të rrezikshmërisë 140 euro ndërsa sipas vendimit të sotëm do marrin vetëm 60 euro.
“Për neve është i papranueshëm nuk ka polic që e pranon me dëshirë, ne më muaj nuk kemi marrë shtesa të rrezikshmërisë. Ky propozim është qind për qind më pak se që e kemi pasur më herët. Kemi pas shumë pakënaqësi prej policëve. Për-shembull patrulla, policia e rendit më herët i kanë marrë 140 euro shtesa prej Qeverisë me propozimin që dhanë sot është 60 euro“, tha Zeqiri për Insjaderin.
Ai ndau edhe një koment të një polici.
“Kur ka qenë byreku 50 cent rrezikshmëria na është paguar 240 euro ndërsa sot kur byreku është 1.50 pagesa e rrezikshmërisë është 60 euro“, tregoi ai.
Edhe nga opozita kanë kritikuar këtë vendim të Kurtit.
Ky vendim u pa si shqetësues nga deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi.
Ajo tha se është e papranueshme vlera që Qeveria e Kosovës ka ndarë për shtesat e rrezikshmërisë për Policinë e Kosovës.
Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu po ashtu tha se nuk ka rritje të shtesave dhe se përkundrazi qeveria fillimisht u ndali shtesat e rrezikshmërisë Policisë së Kosovës, ndërsa tani me vendim ua ka ulë shtesat.
Ndryshe, sot Kurti në konferencë për media është deklaruar për shtesat e rrezikshmërisë për policët, duke thënë se kanë bërë analiza të hollësishme para se të merrej vendimi.
Kryeministri deklaroi se 10% e zyrtarëve të Policisë së Kosovës kanë pasur të ardhura më të larta se presidentja e Kosovës./Telenews//