Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka kritikuar ashpër Qeverinë e Kosovës, duke deklaruar se ajo po përdor një gjuhë ofenduese, të mbushur me urrejtje dhe mllef, si reagim ndaj skandaleve të njëpasnjëshme që kanë tronditur pushtetin.
Ai sugjeron se qeveria po përdor këto metoda si një formë mbrojtjeje për të shmangur përgjegjësinë dhe për të devijuar vëmendjen nga dështimet e saj.
Siç pohon kryetari, “sa më të thella skandalet, aq më të thella ofendimet”.
Tutje, Abdixhiku paralajmëron edhe “thellim të skandaleve”.
“Të dashur qytetarë, Paniku i pushtetit pas shpërthimeve të skandaleve të njëpasnjëshme, po i shtynë ata drejt një gjuhe të zakonshme ofenduese – përplot urrejtje e mllef. Sa më të thella skandalet, aq më të thella ofendimet! Skandalet do të thellohen, me to dhe ofendimet. Sepse sharja është e lehtë, sidomos për ata që se bëjnë dot një shenjë ani pse kishin 51% e plot 12 miliardë euro buxhet”.
Megjithatë, Abidixhiku thotë se zgjedhjet e ardhshme s’bëhen se kush shanë e kush pështynë më mirë. “Po ua japim këtë medalje që në fillim”, thekson ai derisa përmend Shqipërinë e cila dje nisi anëtarësimin në BE.
“Zgjedhjet e ardhshme bëhen për çmimet e larta, pagat e ulëta, investimet që s’bëhen, punët që s’janë, ikjen masive, shkollat e dobëta e spitalet e vjetëruara; për përballjet e brengat e familjeve kosovare nga mëngjesi deri në mbrëmje! Zgjedhjet e ardhshme bëhen për hapin e domosdoshëm të Kosovës drejt familjes euroatlantike; aty ku Shqipëria dje nisi anëtarësimin – e ne vazhdojmë nën masa, pa njohje e pa anëtarësime”.
Abidixhiku thekson se Kosova ka nevojë për përbashkimin e më të mirëve.
“Këtu, në këtë fushë do të na gjeni ne. Mua dhe ekipin tim të programit ‘Rruga e Re’; këtu, në këtë përpjekje, do të përpiqemi të bëjmë bashkë secilin që ndjenë se rrugëtimi i domosdoshëm i Republikës nuk bëhet dot me kaq shumë mllef e ndarje, me kaq pak rezultat. Kosova ka nevojë për përbashkimin e më të mirëve sepse jemi pak për t’i lejuar të na ndajnë e jemi shumë prapa për t’i lejuar të na mbajnë aty!
Nga sot, deri më 9 shkurt, ju ftoj të bëni këtë rrugëtim me mua. Rrugën, drejt një Republike që e meritojmë, drejt shpresës e jetës së mirë, duhet ta bëjmë bashkë. Dhe rrugën do ta bëjmë bashkë!”, thotë ai.

