Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se është liruar nga detyra u.d. kryeinspektorit të Inspektoratit Shëndetësor, Shaban Osmanaj, pas skandalit me foshnjën e vdekur në Spitalin e Pejës.
Sipas MSh-së, në këtë rast ka dështuar zbatimi i detyrave dhe misionit.
“Konkretisht ka munguar komunikimi, informimi i drejtë dhe mbi të gjitha adresimi në kohë i rastit nga ana e Inspektoriatit Shëndetësor. Duke shprehur sinqerisht keqardhjen më të thellë për familjarët dhe të afërmit që janë ballafaquar me këtë ngjarje tepër të rëndë, ri-përsërisim se etika dhe mbrojtja e dinjitetit njerëzor për pacientët e qytetarët në përgjithësi duhet të garantohet në çdo rrethanë nga institucionet shëndetësore. Kush nuk mbërrin ta përmbushë këtë, nuk mund të vijojë të mbajë pozita menaxheriale”, thuhet në njoftimin e MSh-së.
“Në të njejtën kohë shprehim mbështetjen për Prokurorinë e Policinë që sa më parë që është e mundshme të ndërmarrin veprimet e duhura drejt zbardhjes së plotë të ngjarjes dhe adresimin e personave përgjegjës konkretë të veshur me këtë përgjegjësi”.
Në kumtesën e këtij dikaster u tha se u.d. ministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha ka marrë të gjitha hapat për përgjegjësitë administrative dhe çështja po vijon të trajtohet deri në sqarimin përfundimtar.
Të martën doli në publik lajmi se foshnja e vdekur në Spitalin e Pejës u mbështjell me çarçafë dhe ashtu u fut në rrobalarëse.
Lidhur me rastin, Policia e Kosovës dhe Prokuroria Themelore në Pejë po hetojnë rastin.

