Salih Rexhaj, një person anonim i lindur në Kosovë e me banim në Zvicër, kohëve të fundit vazhdimisht po shfaqet nëpër studio e emisioneve televizive e sidomos në televizionet “Klan Kosova” dhe “T7”.
Gjatë paraqitjeve live nëpër ekranet e këtyre televizioneve Rexhaj propagandon dhe shpif me lloj lloj marrëzirash që nuk përkojnë as për së afërmi me realitetin.
Është paradoksale se si ftohet ky person anonim nga këto televizione për të raportuar nga banesa e tij në zvicërr për ngjarjet më të fundit në Kosovë.
Rasti i fundit është ngjarja tragjike e Ujmanit ku një i ri humbi jetën e ku Rexhaj lidhet live nga Zvicrra në ekranet e televizioneve të Kosovës duke raportuar e bërë analiza sikur të ishte nga vendi i ngjarjes.
“Nuk ka pasur asnjë tentim që të nxjerret kufoma shpëtimtarët kanë ndejtë nëpër hije me telefona tu pi duhan, sepse qëllimi i qeverisë ishte që ta dërgonte FSK-në në veri…” thotë ndër të tjera nga banesa e tij në Zvicërr Salih Rexhaj në deklaratat e tij nëpër televizionet e Kosovës.
Por kush është ky person anonim që me opinionet e tij të qorodituar tentohet t’i imponohet opinionit në Kosovë?
KosovaNews ka siguruar një dokument të prokurorisë zviceriane me të cilin dëshmohet se Salih Rexhaj në vitin 2022 është i dënuar nga autoritetet e Zvicrres për shpifje dhe fyerje.

Rexhaj është dënuar nga organet zvicerane për shpifje ndaj dy qytetarëve nga Kosova, Ismajil dhe Sami Kurteshi. Vendimi është zyrtar dhe i dokumentuar nga Prokuroria Publike e Kantonit të Cyrihut (Staatsanëaltschaft Zürich – Limmat), ku Rexhaj, pas një procesi pajtimi të ndërmjetësuar nga autoritetet gjyqësore, ka pranuar publikisht se ka përhapur deklarata të pavërteta dhe fyese, dhe ka kërkuar falje publike në rrjetet sociale.
Rasti ka të bëj me dy veprimtarët e çështjes kombëtare Sami dhe Ismajl Kurteshi të cilët njëherit kanë qenë edhe ish deputet të Kuvendit të Kosovës.
Në nëntor të vitit 2021 Salih Rexhaj përmes profilit të tij në facebook kishte shkruar një seri fyerjesh e shpifjesh ndaj Sami e Ismajl Kurteshi të cilat më pastaj ishin shpërndarë nëpër disa portale fiktive.
Pas kësaj Sami Kurteshi dhe Ismalj Kurteshi kishin angazhuar një avokat në Zvicërr ku i kishin bërë një kallxim penal me 26 janar 2022 në Prokurorinë e Kantonit të Cyrihut.
Prokuroria e Cyrihut ishte aktivizuar menjëher për ta trajtuar këtë çështje dhe pas mbledhjes së provave në maj të vitit 2022 kishte ngritur aktakuzë për veprën penale të shpifjes dhe fyerjes.
Duke e parë seriozitetin e çështjes Salih Rexhaj dhe për t’i shpëtuar dënimit më të rëndë e kishte pranuar fajësinë.
Pas ndërmjetësimit të Prokurorisë për sqarimin e fakteve dhe gjendjes juridike, si dhe në përputhje me nenin 33 të Kodit Penal Zviceran (rënia nga ndjekja penale), palët kishin arritur një marrëveshje.
Prokuroria e Zvicrrës e kishte detyruar Salih Rexhajn që ta publikonte kërkimfaljen në facebook në Gjuhën Shqipe dhe ta mbante aty për tre muaj.
1. I akuzuari Sali Rexhaj:
– deklaron se i vjen keq për çdo padrejtësi të mundshme ndaj të dëmtuarve Ismajl Kurteshi dhe Sami Kurteshi;
– kërkon falje publike në Facebook ndaj të dëmtuarve me këtë tekst (shqip):
«Dua të bëj të ditur për postimet e mia të datës 3 nëntor 2021 dhe 8 nëntor 2021. Nuk kam pasur qëllim t’ju ofendoj ose t’ju shpif Kurteshëve, përkatësisht Sami dhe Ismajl Kurteshin, si dhe të tre personave të tjerë. Kërkoj falje për këtë dhe e pranoj që nuk kanë qenë të vërteta. Në të ardhmen nuk do të bëj deklarime të tilla. Me këtë veprim, dua kam shpallur gatishmërinë t’ia dhuroj CHF 500.- një organizate humanitare në Kosovë.» thuhet në vendimin e prokurorisë së Cyrihut të cilin e ka siguruar KosovaNews.

Përveç kësaj pjesë e marrëveshjes ka qenë edhe zotimi i Rexhajt për të mos përsëritur më sjellje të tilla si dhe një donacion simbolik për një organizatë bamirëse në Kosovë në vlerë prej 500 frangash zvicerane.
– do të lërë këtë postim për të paktën tre muaj pa e fshirë;
– premton që do të respektojë të drejtat e të dëmtuarve dhe nuk do t’u shkaktojë më dëm;
– angazhohet të dhurojë një shumë prej CHF 500.00 deri më 15.06.2022 për një organizatë të dobishme (në Kosovë);
– heq dorë nga pretendimet për kompensim apo dëmshpërblim;
– pranon që shpenzimet e procedurës do të mbulohen nga shteti.
Të gjitha këto zotime duke përfshirë edhe kërkimfaljen në rrjetet sociale Rexhaj i kishte përmbushur me përpikmëri.

Megjithatë, i njëjti person vazhdon të shfaqet nëpër studio televizive në Kosovë, ku jo vetëm që nuk i përmendet e kaluara e tij gjyqësore në Zvicër, por shpesh i jepet hapësirë për të komentuar e akuzuar të tjerët, pa asnjë filtër gazetaresk dhe pa ndonjë verifikim të fakteve.
Si po promovohen shpifësit e dënuar nga gjykatat e vendeve demokratike në Kosovë?
Kjo ngre pyetje serioze për përgjegjësinë mediale në Kosovë, ku shpesh figurat që janë të diskredituara jashtë vendit, shndërrohen në “analistë” apo “ekspertë” brenda, përmes mikrofonëve të pakontrolluar.
Dëmi që i shkaktohet opinionit publik nga normalizimi i shpifjes si formë komunikimi është i konsiderueshëm. Ndërkohë që në Zvicër, sistemi i drejtësisë ka vendosur qartë: shpifja është e dënueshme, në Kosovë ende mungon reagimi i duhur, qoftë institucional, qoftë etik e gazetaresk.
Kujt po i jepet zëri?
Është koha që mediat të jenë më të kujdesshme ndaj profilit të të ftuarve, dhe që institucionet përkatëse në Kosovë të reagojnë kur qytetarë me precedentë të qartë për shpifje e manipulim përhapin dezinformata të tjera, pa asnjë pasojë.