Telenews

Sllovenia bëhet vendi i parë evropian që ndalon tregtinë e armëve me Izraelin

Sllovenia të enjten u vendosi embargo eksporteve, importeve dhe transitit të armëve për në Izrael, dy javë pasi Lublana shpalli “persona non grata” dy ministra izraelitë, raportoi agjencia shtetërore sllovene e lajmeve, STA, duke cituar një deklaratë të Qeverisë.

Vendimi u njoftua nga kryeministri slloven, Robert Golob, pas një mbledhjeje të Qeverisë. Ai tha se Sllovenia është shteti i parë evropian që merr masë të tillë, raportoi agjencia STA, transmeton agjencia “Reuters”.

Sllovenia njohu një shtet të pavarur palestinez në qershorin e vitit të kaluar dhe, prej asaj kohe, në mënyrë të përsëritur ka bërë thirrje për armëpushim në Gaza dhe i ka shtuar dërgesat e ndihmave në enklavë.

Para dy javësh, Sllovenia shpalli “persona non grata” dy ministrat izraelitë me qëndrime të së djathtës ekstreme, Itamar Ben-Gvir dhe Bezalel Smotrich. Ministrja e Jashtme, Tanja Fajon, tha se vendi i saj është i pari në Bashkimin Evropian që e mori këtë vendim.

Qeveria sllovene i akuzoi ministrin e Sigurisë Kombëtare të Izraelit, Ben-Gvir, dhe ministrin e Financave, Smotrich, për dhënie të “deklaratave gjenocidale” dhe për nxitje të dhunës kundër palestinezëve.

Kryediplomatja Fajon tha se Sllovenia kishte vendosur ta merrte këtë masë, pasi ministrat e jashtëm të vendeve të Bashkimit Evropian nuk ishin pajtuar për veprim të përbashkët kundër Izraelit rreth akuzave për shkelje të të drejtave të njeriut në një takim që ishte mbajtur në Bruksel.

“Ky lloj i masës është i pari i llojit të vet në Bashkimin Evropian. Po shkelim territor të ri” – tha ajo, duke shtuar se ishin duke u përgatitur edhe masa të tjera, pa hyrë në hollësi.

Në qershor, sanksione kundër dy ministrave izraelitë kishin vendosur edhe Britania, Norvegjia, Australia, Kanadaja dhe Zelanda e Re, duke i akuzuar për nxitje të dhunës kundër palestinezëve.

Të ngajshme

Paqartësi dhe heshtje: Bizneset kanë rrymë por s’dinë kush ua sjell, ZRRE-ja s’flet

KushtrimGuraj

Përditësohen të dhënat, kaq po presin mërgimtarët për të hyrë e dalë nga Kosova

KushtrimGuraj

E rëndë: Vdes motoçiklisti pas aksidentit tek salla “1 Tetori” në Prishtinë

Donat Hashani