Telenews

Sorensen në Kosovë, takohet me Osmanin, Kurtin dhe Bislimin

I dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Peter Sorensen, do të qëndrojë të hënën në Kosovë, ku do të takohet me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin në detyrë Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrin në detyrë Besnik Bislimi.

Ai do të nis takimin me Osmanin në orën 09:45, pastaj do të zhvillojë takimin me Kurtin në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës në ora 10:30.

Pas këtyre takimeve, ai do të takohet edhe me Bislimin.

Qëllimi i kësaj vizite është për të përgatitur vazhdimin e procesit të dialogut, i cili për muaj të tërë nuk ka pasur lëvizje.

Ndër temat e para që do të mund të diskutohen është zbatimi i deklaratës për të pagjeturit, për të cilën palët kishin rënë dakord, por takimi i fundit në Bruksel në nivel ekspertësh kishte dështuar.

Ndërsa përfaqësuesja e re e lartë e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka thënë para disa javësh se gjatë muajit mars do të shqyrtohet se si do të ecë përpara procesi i dialogut.

Liderët e Kosovës kanë kërkuar disa herë nga strukturat e reja të BE-së që të insistojë në zbatimin e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve të arritur në vitin 2023, dhe të mos e harrojnë këtë marrëveshje sa herë përmendet dialogu, krahas pritshmërisë që administrata e re amerikane të avancojë njohjen reciproke.

Kosova dhe Serbia kanë arritur një “marrëveshje historike” para dy vitesh, fillimisht në Bruksel, pastaj në Ohër. Megjithatë, përkundër insistimit të diplomatëve evropianë se Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit janë ligjërisht obligative, ajo nuk është zbatuar akoma, ndërsa tensionet vazhdojnë të kërcënojnë stabilitetin rajonal.

Ndryshe, përderisa terreni i kërkimit të madh për “formulën e zgjidhjes” pritet të vazhdojë përballë pasigurive që rrethojnë Evropën, krahas ngjyrimeve të reja gjeopolitike, mbetet për t’u parë kursi i lojtarëve globalë në dialogun Kosovë-Serbi.

Të ngajshme

BBC: Gjermania po përgatitet për luftë

Valjeta Turkaj

Humb jetën roja i sigurimit në një fabrikë në Drenas, dyshohet se u rrëzua në vendin e punës

Valjeta Turkaj

Sot 26 vjet më parë u mobilizua UÇK-ja

Valjeta Turkaj