Kosova dhe Serbia, deri sot, kanë afat për t’i dorëzuar propozimet e tyre për përdorimin e dinarit serb në Kosovë, ndërsa javën e ardhshme do të takohen sërish në Bruksel për diskutimin e opsioneve. Kështu u dakorduan në takimin e së martës në Bruksel, raporton Gazeta Sinjali.
Diskutimet për këtë çështje që u zhvilluan në kuadër të rundit të ri të dialogut në Bruksel, nuk përfunduan me ndonjë rezultat.
Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, pas takimit tha se janë dakorduar që deri sot të dorëzohen propozimet.
Ndryshe, kjo ishte hera e parë që zyrtarë të Qeverisë së Kosovës morën pjesë në bisedime të tilla, prej se Kosova, me një rregullore të Bankës Qendrore që hyri në fuqi më 1 shkurt, ndaloi përdorimin e dinarit serb, duke e bërë euron mjet të vetëm pagese.
Çështja, pos që zemëroi Serbinë, nxiti mospajtime edhe mes Qeverisë së Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare, pasi komuniteti serb në Kosovë, prej vitesh, merr pagesa në dinarë nga buxheti i Serbisë.
Diplomatë perëndimorë i kërkuan Kosovës që ta pezullojë rregulloren, për t’iu dhënë kohë qytetarëve të prekur që të përshtaten me praktikën e re.