Telenews

Sot Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë

Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë, 11 Korriku, tashmë është shënuar në kalendarin zyrtar në faqen e OKB-së.

Kjo pasoi pasi rezoluta u miratua nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së më 23 maj.

Për Rezolutën votuan 84 vende, 19 kishin kundër, ndërsa 68 abstenuan.

Kalendari zyrtar i OKB-së e rendit 11 Korrikun si “Ditën Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të 1995 në Srebrenicë”.

Rezoluta i referohet fakteve nga aktgjykimet e Gjykatës Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë, Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe gjykatave vendase.

Ndër të tjera, ajo bën thirrje për “dënimin pa rezerva të çdo mohimi të gjenocidit në Srebrenicë, si dhe të veprimeve që i madhërojnë të dënuarit për krime lufte, përfshirë edhe ata që janë përgjegjës për gjenocidin”.

Miratimi i rezolutës u kundërshtua më së shumti nga Serbia dhe Rusia.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë e karakterizoi krimin në Srebrenicë si gjenocid në vitin 2007.

Beogradi zyrtar dhe autoritetet e entitetit serb të Bosnjë e Hercegovinës, Republika Sërpska, e mohojnë gjenocidin.

Forcat serbe në këtë rajon lindor të Bosnje e Hercegovinës vranë mbi 8.000 burra dhe djem boshnjakë në korrik të vitit 1995.

Për gjenocidin e kryer, deri më tash, u dënuan më shumë se 50 persona me rreth 700 vjet burg.

Në mesin e tyre janë edhe presidenti i kohës së luftës i Republikës Sërpska, Radovan Karaxhiq, dhe komandanti i përgjithshëm i ushtrisë së atëhershme serbe, Ratko Mlladiq./ REL

Të ngajshme

Dhurata Dora, këngëtarja e vetme shqiptare, që performon në mesin 200 yjeve botërore në Rumani

Erzana Fazliu

Inspektorati në aksion – punëtorët e ndërtimtarisë dhe gratë shtatzëna duke punuar përkundër vendimit të MSH-së

Erzana Fazliu

Akademiku serb: Kosova de facto u pavarësua 25 vjet më parë – jam pro Kosovës në OKB

Erzana Fazliu