Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike, ka bërë të ditur se dëmet e djeshme të shkaktuara në asetet e KEDS-it prej borës janë shtuar sot për shkak të erërave të forta që po fryjnë në rajonin e Pejës.
Në njoftim thuhet se erërat e forta po e vështirësojnë intervenimin.
“Duke u bazuar në dëmet dhe kohën e keqe që po bën, KEDS-i ka rritur numrin e ekipeve, të cilat ndodhen në terren gjatë gjithë kohës, megjithatë janë disa zona ku erërat e forta po e vështirësojnë intervenimin”, thuhet në njoftim.
“Në rajonet e prekura dje nga të njëjtat kushte atmosferike, gjendja me furnizim me energji elektrike është përmirësuar dukshëm, edhe pse gjatë ditës do të punohet edhe aty ku furnizimi nuk është rikthyer akoma”.
“Kërkojmë mirëkuptim tek të gjithë konsumatorët e afektuar nga këto prishje dhe, me përkushtimin e ekipeve të KEDS-it, të cilat i falënderojmë për punën e palodhshme, besojmë se të gjitha këto dëme do të eliminohen përgjatë ditës së sotme”.
KEDS-i u bën thirrje konsumatorëve që nëse shohin dëme në çfarëdo aseti, në shtylla të dëmtuara ose në përçues elektrikë, të lajmërojnë sa më parë në Qendrën e Thirrjes në KEDS në: 0800 791 00//Telenews/