Porta e Ballkanit hapet me edicionin e 23-të të Panairit Ndërkombëtar EXPOKOS nga sot me 15 dhe nesër 16 maj 2024 në Sallën 1 tetori në Prishtinë. Ky panair mbulon sektorit e Ndërtimit, Energjisë, Makinerisë, Mbrojtjes e Sigurisë.
Për 23 vite me radhë EXPOKOS ka shërbyer si urë lidhëse ndërmjet bizneseve vendore dhe atyre ndërkombëtare, që ka mundësuar krijimin e bashkëpunimeve dhe partneriteteve të reja duke ju mundësuar kompanive vendore të zgjerojnë tregun e tyre ndërkombetarisht. Fokusi i këtij edicioni vazhdon të mbetët tek promovimi i kompanive vendore duke shfrytëzuar kredibilitetin dhe reputacionin që panairi gëzon në tregjet evropiane dhe më gjërë.
Në hapjen e këtij Panairi do marrë pjesë edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti në sallën 1 Tetori në Prishtinë nga ora 11:00.
Si vlerë e shtuar e panairit kësaj radhe, janë prezantimet e ndryshme që do të mbahen në kuadër të aktiviteteve paralele nga institucione dhe shoqata që vazhdimisht kontribuojnë në ekonominë e vendit. Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare do të mbajë një prezantim mbi të bërit biznes me Gjermaninë, ku do të shtjellohen mes tjerash temat se si te gjinden partnerët në Gjermani dhe si të eksportohet atje, marrëdhëniet ekonomike Gjermano-Kosovare dhe si të bëhet biznes me gjermanët. Në të njëjtën formë do të vazhdojë Oda Sllovene e Bizneseve ku do të mbulojë këto tema për shtetin e Sllovenisë.
Krahas këtyre dy odave, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës do ti shtjellojnë mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet anëtarëve të vet, bizneseve nga odat tjera si dhe pjesëmarrësit në Panairin EXPOKOS.
Pjesëmarrja kompanive vendore të ndryshme që kryesisht janë prodhues dhe atyre ndërkombëtare, që mbulojnë sektorë të ndryshëm duke përfshirë sektorin e energjisë, sektor ky i rëndësisë se veçantë për vendin, e bën panairin EXPOKOS ngjarjen më të rëndësishme në vend për zhvillimin e ekonomisë në përgjithësi, thuhet në komunikatën për media e CEO shpk – Congress and Event Organization.