Telenews

Sot mbahen zgjedhjet për 6 bashki në Shqipëri

Pas dekretimit të presidentit Ilir Meta, sot zhvillohen zgjedhjet e pjesshme për kryetar të gjashtë bashkive në Shqipëri – Dibër, Durrës, Lushnje, Rrogozhinë, Shkodër dhe Vorë.
Të drejtën e votës e kanë 654.538 zgjedhës të regjistruar në listat e zgjedhësve si banorë të këtyre bashkive.
Procesi zgjedhor administrohet nga 13 komisione zonale të Administrimit Zgjedhor (KZAZ), si dhe 941 Komisione të Qendrave të Votimit (KQV).
Partitë politike, duhet të respektojnë heshtjen zgjedhore, sidomos në aktivitetin e tyre në terren.
Në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit do të marrin pjesë 18 kandidatë.
Të gjitha partitë do të garojnë veçmas përveç LSI dhe PD që janë bashkuar me kandidatët e mbështetur nga Sali Berisha në koalicionin “Shtëpia e Lirë”.
Kandidatët fitues do të mbajnë detyrën vetëm rreth një vit pasi në qershor 2023 do të mbahen zgjedhjet e rregullta lokale.
Në zgjedhjet e fundit për pushtetin lokal, 30 qershor 2019, opozita nuk mori pjesë. Për rrjedhojë PS fitoi të 61 bashkitë.
Shkak që 6 bashkitë në zgjedhje janë sot pa kryetar është bërë kandidimi i personave të dënuar dhe dorëheqjet siç ishte rasti i Durrësit.
Bashkia Shkodër është prej vitit 2019 pa kryetar të ri, pasi fituesi i zgjedhjeve, Valdrin Pjetri i Partisë Socialiste, e humbi mandatin për shkak të ligjit të dekriminalizimit, pasi kishte të fshehur një dënim në të shkuarën. Detyrën e ushtron kryetarja e vjetër e bashkisë, Voltana Ademi.
Edhe bashkia e Vorës mbeti pa kryetar pasi Agim Kajmaku u bë subjekt i ligjit të dekriminalizimit. Në bashkinë Rrogozhinë ndërroi jetë kryebashkiaku Haxhi Memolla, ndërsa kryetari i Bashkisë Dibër, Dionis Imeraj, dha dorëheqjen pasi garoi për deputet në listën e PS-së.
Bashkia e Durrësit mbeti gjithashtu pa kryetar pas dorëheqjes në dhjetor 2019 të Valbona Sakos. Bashkia e fundit që mbeti pa kryetar është ajo e Lushnjës në korrik 2021, kur kryetari Fatos Tushe u shkarkua nga kryeministri pasi u arrestua për korrupsion nga SPAK-u.
Presidenti Meta e argumentoi vonesën e tij të gjatë të shpalljes së zgjedhjeve të pjesshme me pritjen e një vendimi të Gjykatës Kushtetuese për kushtetutshmërinë e zgjedhjeve të 30 qershorit 2019, të cilat u mbajtën në situatë konfliktuale politike, pasi opozita vendosi t’i bojkotojë ato, ndërsa vetë presidenti i kishte anuluar me dekret.
Këta janë kandidatët për kryetar bashkie në zgjedhjet e sotme:
Kandidatët e PS-së:
Bashkia Shkodër, Majlinda Angoni
Bashkia Durrës, Ermirjana Sako
Bashkia Dibër, Rahim Spahiu
Bashkia Vorë, Blerim Sheraj
Bashkia Rrogozhinë, Edison Memolla
Bashkia Lushnjë, Eriselda Sefa
Kandidatët e PD-së:
Bashkia Shkodër, Xhemal Bushati
Bashkia Durrës, Luan Hoti
Bashkia Lushnjë, Indrit Sefa
Bashkia Dibër, Luan Haka
Bashkia Rrogozhinë, Ferdinand Saraçi
Bashkia Vorë, Ymer Marku
Kandidatët e ‘Shtëpia e Lirisë’:
Bashkia Durrës, Ardian Muka
Bashkia Shkodër, Bardh Spahia
Bashkia Dibër, Premtim Kryemadhi
Bashkia Vorë, Lulzim Vrana
Bashkia Rrogozhinë, Hekuran Xhani
Bashkia Lushnjë, Elton Bano.

Të ngajshme

Puntori i KEDS që në Pejë, thonë që kishte arrest kardiak

Miftar Zejnullahu

Jevtiq thotë se asociacioni nuk do të jetë njëetnik

Miftar Zejnullahu

KEDS konfirmon vdekjen e punëtorit në Pejë: Shkak nuk ka qenë shtylla elektrike

Miftar Zejnullahu