Komisioni i Pavarur i Mediave, ka mbledhur të hënë prova rreth denoncimit mesazheve mbështetëse për terroristët e vrarë më 24 shtator në veri, të cilat janë shfaqur në disa kanale serbe të “Arena Sport” në Kosovë.
Gjatë ditës së sotme, duke filluar nga ora 13:00, KPM-ja do të mbajë mbledhjen e radhës. Aty do të vendoset për kanalet e “Arena Sport”.
Në agjendën e publikuar në faqen zyrtare të KPM-së, në pikën e gjashtë thuhet se do të diskutohet raporti lidhur me të drejtat e transmetimit të Premier League.
Aktualisht, të drejtat për transmetimin e Premier League në Kosovë i mbajnë ‘DigitAlb’ dhe ‘Telekom Srbija’.

Kryetari i Komisonit, Jeton Mehmeti, përmes një postimi në Facebook të dielën, ka konfirmuar se në KPM janë pranuar denoncime kundër kanaleve “Arena Sport”.
“Mbrëmë jemi lajmëruar nga qytetarë të shumtë se disa nga operatorët e shpërndarjes që janë të licencuar nga KPM po transmetojnë në platformat e tyre video mesazhe kërcënuese për rendin dhe sigurinë kombëtare. Sot kemi filluar menjëherë me mbledhjen e provave. Nesër i analizojmë gjetjet kurse të martën vendosim për rastin në mbledhjen e Komisionit”- ka shkruar Mehmeti në Facebook.
Mesazhe me mbishkrimin “Do t’i kujtojmë” dhe “Lavdi heronjëve” që janë shkruar në kanalet e “ArenaSport”, janë transmetuar përmes platformave televizive si “Kujtesa”, “Artmotion” dhe “Ipko”.
Por kjo nuk është hera e parë që këto kanale që në Kosovë transmetohen përmes tri platformave televizive, kanë shfaqur mbështetje publike për sulmin terrorist në Kosovë.
Edhe më 27 shtator, në ditën që Serbia shpalli ditë zie për vdekjen e tre terroristëve, në kanalet e “Arenasport”, poshtë ekranit është shfaqur shkrimi “ditë zie”, dhe në të njejtën ditë këto kanale janë ndalur nga transmetimi.
Lidhur me rastin, ka pasur shumë reagime, duke e dënuar këtë veprim të këtyre platformave televizive

