Spanja po përballet me një nga sezonet më të rënda të zjarreve në dy dekadat e fundit, teksa autoritetet kanë vendosur edhe 500 trupa të tjerë për të ndihmuar në luftimin e flakëve – duke e çuar numrin total të forcave të angazhuara në 1,900.
Sipas të dhënave të Sistemit Evropian të Informacionit për Zjarret në Pyje të BE-së, flakët kanë djegur mbi 158,000 hektarë, një sipërfaqe afërsisht sa Londra metropolitane.
Tre persona kanë humbur jetën vetëm javën e fundit, ndërsa situata mbetet kritike. Aktualisht janë aktive rreth 20 vatra të mëdha zjarri, përfshirë ato në rajonin veriperëndimor të Galicisë, ku disa prej zjarreve janë bashkuar në një flakë të fuqishme.
Kjo ka detyruar autoritetet të mbyllin rrugë dhe linja hekurudhore, ndërsa evakuimet po vijojnë.
“Shtëpitë janë ende nën kërcënim. Po kryejmë evakuime dhe kemi bllokime në fuqi”,
– tha Alfonso Rueda, kreu i qeverisë rajonale të Galicisë.Ndihma ndërkombëtare ka nisur të arrijë. Dy aeroplanë nga Holanda pritet të bashkohen me ata nga Franca dhe Italia, të cilët tashmë ndihmojnë zjarrfikësit spanjollë. Vende të tjera pritet të kontribuojnë në ditët në vijim.
“Zjarret janë të përhapura. Do të kemi ditë të vështira përpara dhe, për fat të keq, moti nuk është në anën tonë”,– deklaroi Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez.
Sipas meteorologëve, temperaturat në disa zona të Spanjës pritet të arrijnë deri në 45°C, ndërsa tymi nga zjarret ka shkaktuar edhe kushte të mjegullta në Mbretërinë e Bashkuar.
Situata është alarmante edhe në Portugali, ku tetë zjarre të mëdha po digjen në pjesën qendrore dhe veriore të vendit. Më i rëndi është pranë zonës malore të Piodao.
Ndërkohë, vende të tjera të Evropës Jugore – përfshirë Greqinë, Bullgarinë, Malin e Zi dhe Shqipërinë – kanë kërkuar gjithashtu ndihmë nga forcat zjarrfikëse të BE-së për të përballuar situatën.