Ish-kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë dhe ministrja Elisa Spiropali ka komentuar dëshminë e James Rubin, dëshmitarit të parë të mbrojtjes në gjyqin ndaj Hashim Thaçit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Përmes një postimi në Facebook, Spiropali tha se dëshmitë e mbrojtjes janë një hap drejt drejtësisë, duke theksuar se çlirimtarët e Kosovës kanë pritur gjatë dhe padrejtësisht këtë proces.
“Në Hagë nisën sot dëshmitë e mbrojtjes për çlirimtarët e Kosovës, të gjendur prej kohësh në pritjen e pafund dhe të pamerituar. Në këtë moment, kur paraqitja e provave dhe dëshmive të mbrojtjes do të largojë përfundimisht njollat e fantazisë mbi emrin e UÇK-së, drejtësia duhet ta mundë njëherë e mirë padrejtësinë. Çdo vendosje ekuivalence mes akuzave të fajësisë mbi çlirimtarët dhe lirisë që ata sollën për shqiptarët e do të ishte një barazim i turpshëm i së keqes me të mirën, një pllakë turpi në historinë e popujve për liri dhe drejtësi”, shkroi ajo.
Kjo deklaratë e Spiropalit vjen në ditën kur ish-ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James Rubin, nisi dëshminë e tij si pjesë e mbrojtjes së Thaçit në Hagë.