Klisman Kadiu, Këshilltari për media i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi ka thënë se vendimi i Qeverisë së Kosovës për Ekipin Menaxhues nuk është në kundërshtim me marrëveshjen dhe se sipas tij zëdhënësi i BE-së, Peter Stano ka minimum të njohurisë për atë se çfarë po zhvillohet në procesin e dialogut.
Përmes një postimi në Facebook, Kadiu ka shkruar se Stano ka treguar gatishmëri maksimale në nxjerrjen e deklaratave kundër Kosovës.
“Vendimi i Qeverisë së Kosovës për ekipin menaxhues, nuk është në kundërshtim me marrëveshjen. Nga deklarata e zëdhënësit të BE-së, vihet re se ka minimum të njohurisë për atë që po zhvillohet në procesin e dialogut, por maksimum gatishmëri në nxjerrjen e deklaratave kundër Kosovës. Gatishmërinë e njëjtë, duhet ta ketë kur ka shkelje aktuale të marrëveshjes, si për shembull vota kundër e Serbisë në Këshillin e Evropës, për të cilën po gjendet në vështirësi kur përgjigjet. Apo edhe për shkeljet e tjera që Serbia po ia bën marrëveshjes”, ka shkruar Kadiu në Facebook.
Sipas Kadiut, detyra e vetme e Ekipit menaxhues ka qenë përgatitja dhe prezantimi i draftit të statutit.
“Pas këtij prezantimi, nuk ka më asnjë rol sepse diskutimi tashmë është politik. Prandaj, vendimi për shpërndarjen e Ekipit menaxhues shkel letrën dhe frymën e marrëveshjeve të dialogut. Çdo vendim në lidhje me Ekipin menaxhues duhet të miratohet në kuadrin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, ka thënë Stano.