Një studim i ri sugjeron se një sistem me inteligjencë artificiale mund të identifikojë saktë 98% të pacientëve me stenozë të rëndë aortike.
Ndërkohë, sipas një studimi tjetër tregon se këta stetoskopë janë shumë më të ndjeshëm se modelet tradicionale dhe dy herë më efikasë në zbulimin e sëmundjeve të valvulave në klinikë, shkruan burimi Medical News Today.
Teknologjia mund të shërbejë si një mjet i shpejtë dhe me kosto të ulët për skrining në kujdesin parësor, duke ndihmuar në identifikimin e pacientëve që kanë nevojë për ekokardiografi dhe duke reduktuar referimet e panevojshme.
Sëmundja e valvulave të zemrës ndodh kur një ose më shumë nga katër valvulat nuk funksionojnë si duhet, duke penguar qarkullimin e gjakut.
Rreziku rritet me moshën dhe vlerësohet se prek rreth 2.5% të të rriturve në SHBA, duke shkaktuar mbi 60 mijë vdekje në vit. Diagnostikimi shpesh vonohet, pasi simptomat shfaqen vonë ose ngatërrohen me plakjen.
Studimi i University of Cambridge, botuar në “npj Cardiovascular Health”, analizoi të dhënat e 1,767 pacientëve nga pesë qendra të Shërbimit Kombëtar të Shëndetit dhe tregoi se sistemi AI tejkaloi performancën e mjekëve të përgjithshëm në saktësi dhe qëndrueshmëri.
Një studim amerikan, publikuar në “European Heart Journal – Digital Health”, përfshiu 357 persona mbi 50 vjeç dhe zbuloi se stetoskopi me AI kishte ndjeshmëri 92.3%, krahasuar me 46.2% për stetoskopin tradicional. Kjo do të thotë se ai identifikon më shumë se 9 në 10 raste të sëmundjes së moderuar deri të rëndë.
Sipas studiuesve, përdorimi i këtyre mjeteve mund të ndihmojë mjekët të zbulojnë pacientët që përndryshe do të mbeteshin të padiagnostikuar dhe t’i referojnë më herët për teste konfirmuese, duke përmirësuar trajtimin dhe rezultatet afatgjata.

