Telenews

Stinori i ri me ambicie të reja për KVF Dritën, flet trajneri Ilazi

Kampioni i Superligës së Kosovës në volejboll dhe fitues i Kupës, KV Drita edhe sivjet pritet të jetë prej ekipeve që pritet të thotë fjalën kryesore në volejbollin kosovar.

Skuadra gjilanase që në vitet e fundit ka qenë model i organizimit të një ekipi te femrat edhe sivjet synon që të vazhdojë me suksese, aty ku e la në edicionin e fundit.

Arkitekti i të gjitha këtyre sukseseve dhe trajneri i ekipit, Lorik Ilazi ka folur për Telenews.al në lidhje me riorganizimin, stinorin e ri, garat, kundërshtarët, ligën e përbashkët me Shqipërinë etj.

”Stinori që sapo kemi hyrë, qysh në fillim duket se është një stinor shumë rivalizues, me ekipe shumë të organizuara të cilat qysh në fillim janë organizuar duke angazhuar lojtare edhe nga shtete të ndryshme nëpër përbërjet e tyre”.

Ilazi ka lavdëruar punën e Federatës së Volejbollit të Kosovës, për organizimin e mirë të garave sivjet, ku beson që do të jetë prej edicioneve më rivalizuese në vitet e fundit, për faktin se edhe liga e përbashkët shqiptare sivjet pritet të jetë shumë më interesante.

”Unë mendoj se ky vit do të jetë një nga vitet më të bukura të Volejbollit femëror në Kosovë. Kur e them këtë bazohem në atë që thash dhe në organizimet që ka ndërmarrë Federata e Volejbollit të Kosovës. Në këtë vit do të kemi një organizim të nivelit shumë më të lartë duke pasur kritere strikte në organizim të ndeshjeve, ku në këtë pjesë, merita më e madhe është e FVK-së, siç e ceka e cila ka marrë përsipër ndihmën ndaj ekipeve në organizimim e ndeshjeve. Gjithashtu këtë vit, FVK-ja së bashku me Federatën Shqiptare të Volejvollit kanë organizuar edhe Ligën “Gjergj Kastrioti – Skenderbeu”, ligën e përbashkët në mes dy shteteve tona dhe atë në mënyrë të rregullt me 8 ekipe (4 nga Kosova dhe 4 ne Shqipëria), ku edhe kjo është një gjë e mirëseardhur dhe shumë e pritur, që do të ndihmojë shumë në ngritjen që ka marr Volejbolli”, thotë trajneri gjilanas.

Tutje, trajneri Ilazi flet për ekipet e Superligës së Kosovës, ku thotë se edicioni i sivjetm është më i paparashikuari në vitet e fundit dhe pritet të ketë luftë të ashpër për 5 pozitat e para.

”Së pari për Superligën e Kosovës dhe ekipet në Kosovë: Eshtë viti ku ne kemi 6 ekipe në Superligë dhe nga këto 6 ekipe ne kemi 5 ekipe të cilat kanë shprehur qysh në fillim ambiciet e veta. Unë mendoj se këtë vit, do të jetë një kampionat shumë cilësor dhe i paparashikuar ku tregon edhe java e parë e kampionatit ku ndodhi që ekipi i Fushë Kosovës të mund nën-kampionin nga kampionati fundit, ekipin e Fer Volley nga Ferizaj. Kjo tregon më së miri se më nuk do të ketë favorit në letër, por fusha do të jetë ajo që do të tregojë gjithçka”, shprehet ai për Telenews.al

Ilazi thotë se niveli i organizimit të ndeshjeve nga ana e FVK-së, po shkon duke u rritur çdoherë e më shumë dhe së bashku me klubet duhet të ngritet edhe niveli i lojës.

”Sa i përket organizimit të ndeshjeve, unë fillimisht e përgëzoj FVK-në për iniciativën dhe vullnetin, ku ky organizim dhe këto kritere janë vetëm ngritje e nivelit dhe e ardhmja e volejbollit kosovar, ku tani është koha adekuate që ta ngrisim së bashku me nivelin e lojës edhe nivelin e organizimit”.

Liga mbarëkombëtare me Shqipërinë në volejboll, sivjet pritet të jetë më ndryshe në aspektin që është zgjeruar më shumë, trajneri i Dritës flet në lidhje me të dhe beson se ajo sivjet do të jetë tepër interesate e lufta për tu inkuadruar aty do të jetë e ashpër, por dy ekipe i sheh aty ende pa filluar stinori.

”Ligën, Gjergj Kastrioti – Skëndërbeu këtë vite e kemi me 8 ekipe dhe atë me nga 4 ekipet më të mira nga dy shtetet shqiptare, çka kjo tregon edhe nivelin e vet ligës në fjalë. Me këtë ligë do të ketë një ngritje shtesë për ekipet tona dhe ekipet shqiptare të cilat edhe në Shqipëri edhe në Kosovë, qysh tani kanë filluar me organizimin e tyre. Për mua fillimisht në Kosovë do të jetë një luftë mes 5 ekipeve kosovare se cilat do të jenë 4 klubet që do të arrijnë kualifikimin për këtë ligë, një gjë që do te shtojë edhe më tepër rivalitetin mes ekipeve kosovare. Me gjendjen që kemi momentalisht, unë mendoj që Drita dhe Skënderaj do të jenë pjesë e kësaj lige, kurse lufta për dy ekipet tjera do të jetë mes ekipeve M-Technologie, Fer Volley dhe Fushe Kosovës, luftë e cila mendoj se nuk do të dihet deri në fund dhe kjo do të jetë një bukuri e veçantë e këtij kampionati (flas vetëm për gjendjen e ekipeve momentalisht, sepse mund të ketë ndryshime nëpër ekipe në të ardhmen). Sa ju përket ekipeve shqiptare, ku unë me shumë interesim e përcjelli edhe ligën shqiptare, atje mendoj se është një situatë më e qartë duke patur 4 ekipe që thuajse janë më mirë të organizuara dhe me lojtare më kualitative të cilat janë: Partizani nga Tirana, Skëndërbeu nga Korça, Tirana nga Tirana dhe Vllaznia nga Shkodra. Kur flas, gjithmonë vetëm për kualitetin dhe gjendjen momentale të ekipeve, sepse edhe në Shqipëri kemi ekipin e Barleti Volley si dhe Teuta nga Durrësi të cilat munden që në çdo moment ti befasojnë ekipet e lartë përmendura. Unë desha të cek ekipet e mundshme në ligën tonë të përbashkët, vetëm me qëllimin që kur të shohim ekipet dhe kur ta kthejmë kokën mbrapa e të shohim historinë e këtyre ekipeve, do ta kuptojmë shumë saktë se çfarë lige kualitative do të jetë, Liga Gjergj Kastrioti- Skëndërbeu”, beson ai.

Për ta përmbyllur deklarimin e tij për Telenews.al, ai nuk la pa e përmendur skuadrën e tij në veçanti me të cilën ka korrur suksese të shumta.

”Sa i përket Dritës sime, ne jemi mobilizuar në mënyrën më të mirë duke bërë shumë ndryshime në përbërje dhe duke formuar një grup më afatgjatë me vajza të reja, ku padyshim se për Dritën gjithmonë do të jenë qëllimet e njejta të cilat janë fitore në çdo ndeshje dhe çdo trofe. KV Drita do të jetë ekip i cili synon të fitojë edhe Ligën, Gjergj Kastrioti- Skëndërbeu dhe ne qysh tani kemi filluar organizimin dhe kemi bërë programin e punës që në fund të dalim fitues në çdo kompeticion ku jemi në garë”, mbylli intervistën trajneri Ilazi.

/Telenews.al/

Të ngajshme

Kosova përmbys Gjeorgjinë, fiton 3:2 pas disavantazhit prej dy golash –

KushtrimGuraj

Kapja e kundërshtarit nga flokët i kushton shtrenjtë Vinicius Jr., dënohet me katër ndeshje –

KushtrimGuraj

Paraqitje fantastike, Partizani U19 kualifikohet tutje në UEFA Youth League

Rrezarta Ramaj