Java e dytë e Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut ka nisur sot me dy duelet e zhvilluara në Gostivar dhe Kavadar.
Në qytetin e Gostivarit, debutuesi në elitë Arsimi 1973 nuk arriti t’i gëzohet fitores së parë para tifozëve të vet, pasi u mund nga Struga Trim Lum me rezultatin 1-2.
Ndeshja nisi më mirë për miqtë, të cilët krijuan disa raste të rrezikshme pas gabimeve në mbrojtjen vendase, por portieri Islami reagoi në kohë për të shmangur golin. Arsimi iu kthye lojës pas rreth 20 minutash, duke balancuar lojën dhe duke tentuar me disa aksione të rrezikshme. Epërsia erdhi në minutën e 42-të, kur nigeriani Olatunbosun lëshoi një goditje të fuqishme nga rreth 20 metra, duke e mposhtur portierin Angelini për 1-0 – rezultat me të cilin përfundoi pjesa e parë.
Në pjesën e dytë, Struga hyri më ofanzive dhe pas disa përpjekjeve arriti të barazojë në minutën e 69-të me anë të Marjan Radeskit, i cili shënoi me kokë pas një gabimi të mbrojtjes vendase. Vetëm tre minuta më vonë, një tjetër gabim fatal i kushtoi Arsimit – Kompaore përfitoi nga pakujdesia e Cuculit dhe shënoi për 1-2, duke përmbysur rezultatin.
Pavarësisht përpjekjeve të fundit dhe disa zëvendësimeve, Arsimi nuk arriti të rikthehet në lojë, ndërsa Struga administroi qetësisht avantazhin deri në fund. Skuadra e Blendi Shkëmbit shkon në kuotën e 6 pikëve pas dy javësh, ndërsa Arsimi mbetet me një pikë të marrë në barazimin ndaj Bashkimit në javën e parë.
Në javën e tretë, Arsimi do të ketë një sfidë shumë të vështirë në transfertë ndaj kampionit në fuqi, Shkëndijës, ndërsa Struga do të presë në shtëpi ekipin e Rabotniçkit.
Me rezultat identik 1-2 Tikveshi është mundur nga Vardari në Kavadar. /Telegrafi/