Telenews

Studentët sfidojnë Vuçiqin – Tubimi kryesor i protestës masive në Beograd pritet të nis në orën 16:00

Të shtunën me 15 mars, pritet të nis protesta masive e paralajmëruar prej ditësh në Beograd, protestë kjo e cila do të zgjasë deri në orët e vona të së shtunës.

Studentët në Serbi, për të shtunën, kanë paralajmëruar grumbullime në disa lokacione. Grumbullimi i parë masiv pritet të nis rreth orës 11:30 dhe do të zgjasë deri në orën 14:30 në shumë lokacione të ndryshme të kryeqytetit.

Mitingu kryesor është planifikuar të fillojë në orën 16:00, ku do të lexohen kërkesat e studentëve. Marshimi i tyre pritet të nis në orën 18:00, protesta pritet të përfundojë pas orës 21:00.

Në Beograd, siç raportojnë mediat në Serbi, ka një prani të jashtëzakonshëm të forcave të rendit nëpër pikat ku pritet të grumbullohen qytetarët. Forca të shumta të policisë, të shtunën në mëngjes, janë parë duke hyrë brenda Parlamentit të Serbisë, e cila ditë më parë u mbyll për shkaqe sigurie.

Të premten beogradasit kanë mbushur sheshet kryesore të kryeqytetit për të mirëpritur protestuesit nga mbarë Serbia. Ndërkohë edhe të shtunën, mediat serbe, raportojnë se drejtë Beogradit janë nisur konvojë të shumtë të makinave nga anembanë Serbia.

Në Beograd, të premten në mbrëmje kanë mbërritur një numër i konsiderueshëm i studentëve, të cilët janë nisur qoftë në këmbë qoftë me biçikleta drejtë kryeqytetit.

Protestuesit që kanë ardhur nga qytetet e tjera të Serbisë u mirëpritën nga të pranishmit me pankarta me mbishkrimin “studentë, Beogradi është i juaji”, si dhe me medalje e lule.

Fakultetet anembanë Serbisë janë të bllokuara për më shumë se tre muaj. Studentët po kërkojnë përgjegjësi penale dhe politike për vdekjen e 15 njerëzve nga shembja e një strehe në stacionin hekurudhor të Novi Sadit më 1 nëntor 2024.

Rojet e studentëve u kanë bërë thirrje qytetarëve që të mos iu afrohen traktorëve dhe gardhit që çon në Parkun e Pionierëve në mes të Presidencës së Serbisë dhe Kuvendit të Serbisë, ku janë vendosur në kampe një grup tjetër studentësh që kundërshtojnë bllokadat e fakulteteve.

Një numër i madh traktorësh janë parkuar rreth Parkut të Pionierit në qendër të kryeqytetit.

Grupi “Studentët 2.0” është i vendosur në Parkun e Pionierit që nga 6 marsi. Ata e quajnë veten “studentë që duan të mësojnë” dhe kërkojnë përfundimin e bllokadave.

Në tubimin madhor në Beograd, më 15 mars, autoritetet serbe parashohin që të ketë “dhunë të madhe”, teksa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, paralajmëroi edhe arrestime.

Mediumi serb, Danas, raportoi një ditë më parë se ish-policë të pensionuar nga Kosova janë ftuar të qëndrojnë në kryeqytet para dhe gjatë protestës së studentëve dhe të veprojnë në mbështetje të regjimit të Vuçiçit. Për pjesëmarrjen e tyre, ata do të paguhen 100 euro në ditë, në bazë të raportimeve.

E përditshmja serbe ka raportuar se bëhet fjalë për ish-policë që ishin të punësuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë dhe më pas ishin integruar në Policinë e Kosovës. Pas largimit nga Policia e Kosovës, ata ishin pensionuar nga shteti serb.

Partia Socialdemokrate në Serbi, të premten, kërkoi që Policia e Serbisë të “kontrollojë urgjentisht” nëse “grupe banditësh dhe kriminelësh” nga Kosova janë akomoduar në një hotel të Beogradit për shkak të protestës së studentëve të shtunën.

Partia opozitare serbe përmes një komunikate ka thënë se “ka informacion” për këtë.

“Sipas informacioneve që kemi, ata kanë për detyrë të nxisin trazira për të shpallur gjendjen e jashtëzakonshme”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga kjo parti.

Të ngajshme

Digjet një veturë në Komoran

Donat Hashani

Trumpi e quan “të çmendur” prokurorin Jack Smith që hetonte Thaçin dhe të tjerët

Donat Hashani

Persona të maskuar marshojnë nëpër Beograd – pushteti po mundohet t’i frikësojë protestuesit

Donat Hashani