Telenews

“Sulm ndaj vendeve të rezervuara”, Duda Balje e ashpër ndaj një partie

“sulm-ndaj-vendeve-te-rezervuara”,-duda-balje-e-ashper-ndaj-nje-partie

Ish-deputetja nga komuniteti boshnjak, Duda Balje ka kritikuar ashpër partinë Vakat, e cila, sipas saj, po rrezikon zërin politik të komunitetit.

Ajo ka thënë se kandidatura e Ena Kadës hap sërish debatin e keqpërdorimit të vendeve të rezervuara për komunitetet jo-shumicë.

“Kandidatura e Ena Kadës në listën e partisë boshnjake Vakat hap sërish çështjen e keqpërdorimit serioz të vendeve të rezervuara për komunitetet jo–shumicë, veçanërisht për boshnjakët. Në vend që këto vende të shërbejnë si garanci e përfaqësimit autentik të popullit tonë, disa parti i shndërrojnë ato në hapësirë për tregti politike dhe kalkulime personale”, ka thënë Balje.

Ajo ka thënë se në vitet e fundit ka parë një praktikë të rëndë nga Vakat.

“Prej vitesh po shohim të njëjtën praktikë: Vakat, në vend se të ndërtojë besim brenda komunitetit boshnjak, mandatet e veta i mbështet në vota nga mjediset serbe, shpesh pa asnjë lidhje me boshnjakët. Kjo krijon situata ku vullneti politik i boshnjakëve shtyhet në plan të dytë, ndërsa vendet e rezervuara kthehen në objekt manipulimi, në vend që të mbrojnë identitetin dhe të drejtat tona politike”, ka thënë Balje.

“Sot po e shohim të njëjtin model – kandidatura të personave që nuk kanë asnjë lidhje me komunitetin boshnjak, të vendosur në një listë që formalisht pretendon se përfaqëson boshnjakët. Kjo e minon drejtpërdrejt kuptimin e vendeve të rezervuara dhe krijon një precedent të rrezikshëm, ku qendra të jashtme politike, përmes partive boshnjake, ndikojnë në mandatet që u takojnë popullit tonë”, ka thënë ajo.

Sipas saj, me këtë veprim, Vakat tregon se është i gatshëm që, për të ruajtur pozitat e veta, t’i vërë sërish në rrezik vendet e rezervuara të boshnjakëve dhe zërin politik të komunitetit, duke hapur rrugë që interesat e të tjerëve të realizohen në kurriz të popullit tonë.

“Komuniteti boshnjak duhet të reagojë qartë dhe vendosmërisht. Kjo nuk është goditje ndaj individëve – kjo është sulm ndaj institucioneve, ndaj të drejtës sonë për përfaqësim legjitim dhe ndaj dinjitetit të boshnjakëve në Kosovë”, ka thënë Balje.

Të ngajshme

Marta Kos mbërrin në Presidencë, pritet nga Albulena Haxhiu

Valjeta Turkaj

Plagosja e “Plakit” në kryeqytet, deklarohet Prokuroria

Valjeta Turkaj

Hamza: Qeveria të ndalë provokimet dhe keqpërdorimin e shtetit për interesa partiake

Valjeta Turkaj