Tre persona janë plagosur në orët e para të mëngjesit të së dielës si pasojë e shkrepjes së armës së zjarrit në një lokal në rrugën “Fan Stilian Noli” në Gjakovë.
Gazeta mëson se nga sulmi me armë zjarri në lokalin ‘Republika’ kanë mbetur të plagosur dy vëllezërit pronarë Driton dhe Jon Stublla, si dhe një kamarier.
I dyshuari, i cili gjendet në arrati, sipas këtij burimi është Shkelzen Ahmeti.
Lajmin për incidentin në orët e para të mëngjesit të së dielës ka konfirmuar më herët për Insajderin zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, teksa ka thënë se tre të dyshuarit gjenden jashtë rrezikut për jetë.
“Sot rreth orës 00:10 kemi pranuar informatë për të shtëna me armë zjarri në një lokal në rrugën “Fan Stilian Noli” në Gjakovë, ku për pasojë tre persona (meshkuj të moshës madhore) kanë marrë plagë, të cilat dyshohet të jenë shkaktuar nga armë zjarri. Policia menjëherë ju ka përgjigjur rastit dhe viktimave ju është ofruar trajtim mjekësor, nga informatat e para të pranuara, gjendja e tyre shëndetësore është stabile”, ka deklaruar ai.
Sipas Elezajt, rasti është iniciuar si “Vrasje në tentativë” dhe “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
“Aktualisht jemi duke kryer procedurat e nevojshme hetimore në drejtim të zbardhjes së rastit dhe kapjen e të dyshuarit. Në konsultim me prokurorin e shtetit është iniciuar rast “vrasje në tentativë” dhe “mbajtje në pronësi , kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, shton tutje ai.