Platforma “Superpuna” tash disa javë është jashtë funksionit, duke pamundësuar regjistrimin e punëtorëve, ndërsa bizneset rrezikojnë penalizime nga institucionet shtetërore për shkak të një problemi që nuk është i tyre.
Krahas mosfunksionimit të platformës, ankesa të mëdha janë ngritur edhe për vonesat e pagesave dhe mungesën e sqarimeve institucionale për vazhdimin e programit në vitin 2026.
Drejtori Ekzekutiv i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovës, Kushtrim Ahmetithotë se problemet me platformën “Super Puna” vetëm se po pwrswriten dhe se ankesat nga bizneset për mosfunksionim të saj janë përsëritur edhe së fundmi, ashtu si në fund të vitit të kaluar.
“Në fakt, duket që kjo problematika e platformës Super Puna nuk është diçka e re, pasi që këtë çështje ne e kemi diskutuar para afërsisht, nëse nuk gaboj, diku vitin e kaluar nga fundi, mundet me qenë nëntor ose dhjetor, afërsisht me disa prej bizneseve të cilat ma kanë përmendur nëpër takime që janë duke hasur në telashe në funksionimin e kësaj platforme. Por, më pas duket që u kthye pa funksionim. Këto kohët e fundit, faktikisht edhe sot kemi pasur disa komunikime me biznese, të cilat na kanë lajmëruar që prapë kanë telashe me mosfunksionim të kësaj platforme”, shprehet Ahmeti.
Ahmeti theksoi se mosfunksionimi i platformës “Superpuna” po i vë bizneset në një situatë të vështirë, pasi ato rrezikojnë të penalizohen nga Administrata Tatimore për mos regjistrim të punëtorëve, ndonëse problemi buron nga vetë sistemi shtetëror.
Ai u bëri thirrje institucioneve që të mos ndërmarrin masa ndëshkuese ndaj bizneseve pa u verifikuar më parë se përgjegjësia nuk është e tyre.
“Në njërën anë, biznesi do ta regjistrojë punëtorin. Në anën tjetër, nuk ka qysh e mban punëtorin në punë pa regjistruar. Me e mbajtur në punë, rrezikohet që të penalizohet nga agjencia, nga Administrata Tatimore e Kosovës. Pse? Sepse nuk e ka, nuk e ka bërë regjistrimin e punëtorit. Në fakt, në këtë rast nuk është faji i biznesit, por është faji i sistemit prapë shtetëror në këtë rast, i cili nuk është duke funksionuar dhe shpeshherë po ndodhin këto telashe. Unë edhe në takime të ndryshme që kam pasur edhe me zyrtarë të Administratës Tatimore, po edhe me zyrtarë të tjerë shtetërorë, u kam kërkuar që mos të ndërmarrin veprime të menjëhershme, sepse duket që zgjidhja më e lehtë për shumë institucione të vendit është që t’i dënojnë menjëherë bizneset, pa e vërtetuar saktë se problemi nuk është te biznesi, por është problemi tek një shërbim ose një sistem që e ka nën mbikëqyrje ë qeveria e Kosovës ose shteti i Kosovës në këtë rast dhe që për një arsye ose tjetër i njëjti nuk funksionon”, deklaroi ai.
Njohësi i ekonomisë, Adem Qorrolli thekson se platforma për regjistrim ka pasur vazhdimisht probleme teknike, si në të kaluarën ashtu edhe aktualisht.

