Telenews

Suplementet me vaj peshku mund të ndikojnë negativisht në tru, zbulon studimi

Studime të reja po ngrenë pikëpyetje mbi disa produkte dhe suplemente të përdorura gjerësisht për shëndetin, nga barnat për humbje peshe, te vaji i peshkut.

Një pjesë e kërkimeve sugjeron se disa ilaçe për dobësim mund të lidhen me humbje të masës muskulore, ndërsa një studim tjetër paralajmëron se suplementet me vaj peshku mund të ndikojnë negativisht në rikuperimin e trurit në disa raste specifike, ka raportuar FoxNews.

Vaji i peshkut dhe truri

Vaji i peshkut njihet për përmbajtjen e tij me acide yndyrore omega-3 dhe shpesh promovohet si i dobishëm për trurin dhe zemrën. Megjithatë, një studim i ri sugjeron se në disa raste mund të ketë efekt të kundërt.

Sipas studiuesve suplementet me vaj peshku mund të jenë problematike për personat që kanë pësuar goditje të përsëritura të lehta në kokë.

“Suplementet me vaj peshku janë kudo dhe njerëzit i përdorin për arsye të ndryshme, shpesh pa e kuptuar plotësisht efektin afatgjatë”, ka thënë autori kryesor i studimit Onder Albayram.

Sipas tij, shkenca ende nuk e di plotësisht se si reagon truri ndaj këtij suplementi.

Çka tregoi studimi?

Studiuesit zbuluan se një përbërës i rëndësishëm i vajit të peshkut, EPA (një lloj omega-3), mund të ndërhyjë në mënyrën se si truri shërohet pas një dëmtimi.

Në vend që ta mbrojë trurin, përdorimi afatgjatë mund ta bëjë atë më të ndjeshëm ndaj dëmtimeve.

Studimi u përqendrua në sistemin neurovaskular, rrjeti i enëve të gjakut që furnizon trurin dhe ndihmon në rikuperimin e tij.

Sipas rezultateve:

-EPA mund të dobësojë muret e enëve të gjakut në tru

-Mund të bllokojë sinjalet që ndihmojnë trurin të riparohet pas traumës

-Është lidhur edhe me grumbullimin e proteinës tau, e cila lidhet me sëmundje të trurit në afat të gjatë

“Unë nuk po them që vaji i peshkut është i mirë apo i keq në mënyrë absolute. Ajo që tregojnë të dhënat tona është se efektet varen nga konteksti dhe nga individi”, ka thënë Albayram.

Studimi është kryer te minjtë, ndaj rezultatet nuk mund të aplikohen drejtpërdrejt te njerëzit. Gjithashtu, gjetjet lidhen kryesisht me persona që kanë pasur lëndime të përsëritura në kokë dhe jo domosdoshmërisht me të gjithë ata që përdorin vaj peshku për shëndetin e zemrës apo arsye të tjera.

Rezultatet janë publikuar në revistën Cell Reports.

Në përfundim, ekspertët theksojnë se suplementet nuk kanë gjithmonë të njëjtin efekt për të gjithë dhe përdorimi i tyre duhet të bëhet me kujdes, sidomos në raste specifike shëndetësore.

Të ngajshme

Endometrioza mund të diagnostikohet më herët me teknikën e re të skanimit

Valjeta Turkaj

Studimi: Një gotë e madhe qumësht në ditë mund të ulë rrezikun për kancer të zorrës së trashë

Valjeta Turkaj

Kirurgët në QKUK bëjnë mrekulli: Hiqet plumbi nga mushkëria e 28 vjeçarit

Valjeta Turkaj