Telenews

Supremja shfuqizon tarifën prej 3-eurove për shoqëruesit e pacientëve në QKUK

Gjykata Supreme e Kosovës ka shpallur të paligjshme dhe ka shfuqizuar pjesërisht Udhëzimin Administrativ nr.03/2024 për bashkëpagesat në shërbimet shëndetësore, duke hequr dispozitat që përcaktonin pagesën prej 3 euro në ditë për personat shoqërues të pacientëve të shtrirë në spital.

Sipas njoftimit, Gjykata Supreme ka shfuqizuar pikën 4 të shtojcës 3 dhe pikën 5 të shtojcës 4 të Udhëzimit Administrativ nr.03/2024 – Bashkëpagesat për Shërbimet Shëndetësore.

Gjykata Supreme, pas shqyrtimit të dispozitave kushtetuese e ligjore dhe administrimit të provave, ka vlerësuar se dispozitat e kontestuara nuk kanë bazë të mjaftueshme ligjore dhe se përmes tyre është zgjeruar në mënyrë të palejuar nocioni i “bashkëpagesës”.

Në aktgjykim, Gjykata Supreme ka theksuar se bashkëpagesa mund të vendoset vetëm ndaj personave që janë përfitues të drejtpërdrejtë të një shërbimi shëndetësor, ndërsa, sipas vlerësimit të saj, personi shoqërues nuk e plotëson këtë kriter, pasi prania e tij në institucionin shëndetësor lidhet me mbështetjen e pacientit dhe jo me marrjen e shërbimeve shëndetësore.

Gjykata ka vlerësuar po ashtu se Ministria e Shëndetësisë, përmes Udhëzimit Administrativ nr.03/2024, ka tejkaluar autorizimin ligjor të dhënë nga Ligji për Shëndetësi, duke krijuar një detyrim të ri financiar pa bazë të qartë ligjore, në kundërshtim me parimin e legalitetit.

Sipas vendimit, tarifimi i personave shoqërues cenon të drejtat e qytetarëve në qasje të barabartë dhe efektive në kujdesin shëndetësor, duke pasur parasysh edhe praktikën faktike në institucionet publike shëndetësore, ku prania e familjarëve shpesh paraqet nevojë reale për mbështetje të pacientëve gjatë hospitalizimit.

Gjykata Supreme ka konstatuar se aktet nënligjore duhet të jenë në përputhje me ligjin dhe nuk mund të krijojnë kategori të reja tarifimi apo detyrime financiare që nuk janë të parapara me ligj.

Të ngajshme

13 vjeçari aksidentohet në Skënderaj, dërgohet në Spitalin e Mitrovicës për trajtim

Valjeta Turkaj

Turisti thyen rregullat në Itali, hidhet në Shatërvanin e Trevit – gjobitet me 500 euro

Valjeta Turkaj

Njollë kafe në lëkurë? Shenjat që tregojnë se duhet marrë seriozisht

Valjeta Turkaj