Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas kërcënimit për bombë të adresuar më 5 korrik ndaj Kuvendit të Republikës së Kosovës, duke e cilësuar këtë si një “sulm hibrid” që ka për qëllim destabilizimin e institucioneve të vendit, shkruan Gazeta Sinjali.
“Sipas të dhënave fillestare, kërcënimi është bërë nga një numër telefonik i regjistruar në Serbi, që i përket kompanisë telefonike MTS,” thuhet në reagimin e Sveçlës.
Ai shton se përdoruesi i këtij numri ka qenë ose është shtetasi serb Lazar Živković, dhe se në disa profile të lidhura me të është përdorur fotografia e kriminelit të luftës, Ratko Mladić.
Sveçla theksoi se institucionet e sigurisë në Kosovë janë duke e trajtuar këtë çështje me prioritet të lartë dhe do të kërkojnë mbështetje ndërkombëtare për të identifikuar dhe vënë para drejtësisë personat përgjegjës.
“Sulmuesit dhe kërcënuesit që strehohen në Serbi, pavarësisht mbështetjes nga shteti serb, nuk do të arrijnë t’i shmangen përgjegjësisë,” deklaroi ai.