Ministri i Punëvë të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë që kamionët me targat e Serbisë nuk mund të futen në Republikën e Kosovës, deri në një vendim tjetër.
Sveçla tha se kamionët me targa të tjera të cilat nuk kanë mallra serbe, mund të hyjnë në Kosovë.
“Gjithë kamionat me targat e Serbisë deri në një vendim tjetër nuk do të mund të futen në Republikën e Kosovës.”, tha ministri para gazetarëve në Bare, në vendin ku u kidnapuan tre zyrtarët policorë.
“Çfarëdo kamion me targa të tjera do të mund të futet në qoftë se nuk ka mall të Serbisë”, tha ai.
Ky vendim vjen pas kidnapimit të tre zyrtarëve policorë në veri të vendit, nga forcat serbe.
Policia e Kosovës publikoi edhe hartën e vendndodhjes së tre policëve të cilët u rrëmbyen dhunshëm nga njësia speciale policore e Serbisë.
Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani, tha se tre policët kufitar të Kosovës, u kidnapuan në mënyrë klasike nga njësia speciale policore e Serbisë.
Ky akt është dënuar nga Presidentja, Kryeministri, dhe akterë të tjerë politikë në vend të cilët u kanë bërë thirrje ndërkombëtarëve që të dënohet Serbia.