Telenews

Tahiri: Ligji për zyrtarët publikë dhe ai i pagave e vrasin shpresën e secilit zyrtar shtetëror

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se Ligji për zyrtarët publikë dhe ai për pagat janë virusi më i madh që ka hyrë në administratë shtetërore. Pas miratimit të dy projektligjeve nga kabineti qeveritar, ai ka theksuar se të dy këto nisma ligjore e vrasin shpresën e secilit zyrtar shtetëror. Ai shtoi se nuk duhet të kalojnë në Kuvend pa u amendamentuar dhe se duhet të ndalohen edhe përmes interpretimit të Gjykatës Kushtetuese.

Në konferencë për media, Tahiri tha se në emër të reformës është deformuar administrata shtetërore.

“Sot Qeveria e Kosovës, në emër të reformës e ka deformuar në esencë administratën shtetërore me miratimin e dy ligjeve, që e kthen Kosovën në kohën e UNMIK-ut. Nuk ka një vend as në kontinentin e Evropës, e as në Ballkanin Perëndimor, i cili mundohet që me ligj ta kap administratën shtetërore, ku përmes Ligjit për zyrtarët publikë, 1600 pozita i kthen prej pozitave të shërbimit civil në karrierë, në pozita me mandat politik katër-vjeçar që nënkupton e bën një goditje të madhe ndaj shtetit të Kosovës, administratës dhe meritokracisë”, ka deklaruar Tahiri.

Për më tepër, ai theksoi se edhe raporti i BE-së kundërshton këtë ligj.

“Këto dy ligje, Ligji për Zyrtarët Publik dhe Ligji i Pagave e vrasin shpresën e secilit zyrtar shtetëror, zyrtar në Administratë të shtetit për një karrierë të mirëfilltë profesionale dhe për një rrogë të dinjitetshme. Nuk ka vend në kontinent, i cili në këtë krizë ekonomike dhe pas pandemisë, i zvogëlon rrogat. Sot gjyqtarët, prokurorët, një numër i madh i zyrtarëve publikë janë në ethe dhe janë pa shpresë nga dy ligje që në fakt janë sëmundje dhe virusi më i madh që i ka hyrë administratës shtetërore tash e 20 vjet”, ka shtuar ai.

Shefi i GP-së të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka theksuar se qëllimi i qeverisë është që të deformohet sistemi në administratë.

“Qëllimi është shumë i thjeshtë: të deformohet sistemi në administratë, të bëhet kapja e shtetit me ligj dhe në të njëjtën kohë të stimulohet nepotizmi, klientelizmi politik dhe qe besa edhe korrupsioni. Këto dy ligje nuk duhet të kalojnë në këtë formë, të kalojnë në Kuvend në qoftë se nuk amandamentohen dhe duhet në çdo formë t’i ndalim deri tek apelimi në Gjykatën Kushtetuese. E ka mbajtur peng Kosovën, qytetarët e Kosovës, të punësuarit në sektorin publik që 20 muaj duke folur për Ligjin për pagat dhe në fund i ka kaluar dy ligje që e vret shpresën e secilit të punësuar”, ka përfunduar Tahiri.

Në mbledhjen e sotme të qeverisë është miratuar Projektligji për pagat në sektorin publik dhe ai për zyrtarët publikë.

Të ngajshme

Motra e Olta Gixharit, Gerta bëhet pjesë e Big Brother VIP Albania

Erzana Fazliu

Abdixhiku prezanton projektin e Stadiumit Kombëtar në Bërnicë

Erzana Fazliu

“Ne të dy bashkë duhet të jemi”, Driloni bën hapin e parë drejt Sarës

Erzana Fazliu