Telenews

Takime “ose nuk ka, ose dështojnë”, Bashkimi Europian beson në fuqinë e dialogut Kosovë-Serbi

Bashkimi Europian nuk ndryshon qëndrim për strukturat paralele të paligjshme serbe që po mbyllen në Kosovë. Zëdhënësja Anitta Hipper vijon t’i konsiderojë struktura të mbështetura nga Serbia, statusi i të cilave duhet të zgjidhet përmes dialogut Prishtinë-Beograd që lehtësohet nga Brukseli.

“Ne gjithmonë besojmë në fuqinë e dialogut dhe kjo është diçka shumë e rëndësishme dhe e nevojshme. Prandaj ne po vendosim të gjitha përpjekjet tona në dialog dhe prandaj po u kërkojmë palëve të përfshira që të bëjnë të njëjtën gjë”, tha Anitta Hipper, zëdhënëse e BE.

Qeveria e Kosovës sqaroi se nuk janë struktura të mbështetura nga Serbia, por institucione të paligjshme që sfidojnë rendin dhe kushtetutën e vendit. Gjithashtu hodhi poshtë zotimin e pretenduar nga BE se statusi i tyre është pranuar që të zgjidhet përmes dialogut. Zëdhënësja u pyet nga gazetarët që të sqaronte se çfarë u kërkoi palëve të bënin konkretisht? Ajo u përgjigj duke nënvizuar rëndësinë e angazhimit në dialog në mënyrë konstruktive.

Megjithatë u zu ngushtë kur u pyet për faktin që shumica e takimeve që thirren dështojnë, ashtu siç ndodhi me mbledhjen inauguruese të Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur të luftës. Pavarësisht se ndërmjetësuesi Miroslav Lajçak konfirmoi se ishte pala serbe ajo që solli dështimin e takimit, zëdhënësja Hipper tha se do ta komentojë në një moment të dytë çështjen.

Kryenegociatori serb, Petar Petkoviq, refuzoi të merrte pjesë në takim, siç tha, për shkak të mbylljes së institucioneve paralele serbe. Autoritetet në Kosovë theksuan se mbyllën 10 zyra të paligjshme në të gjithë shtetin.

Të ngajshme

Eskalon debati, Hodaj-Matoshit: S’ki kaçik me marrë avokat si unë, ti ke nevojë për doktor!

Donat Hashani

Qytetari dorëzon në polici paratë e gjetura në një restorant në Han të Elezit

Donat Hashani

Lirohen tre malazezët e arrestuar në Kosovë vitin e kaluar për “nxitje të urrejtjes”

Donat Hashani