Në Bruksel është mbajtur takimi i shtatë i grupeve punuese të ekspertëve të Kosovës dhe Serbisë për arritjen e një marrëveshjeje për targat e automjeteve.
Mbajtja e këtij takimi është konfirmuar nga i ngarkuari special i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, i cili ka thënë se me afrimin e afatit, është urgjente të arrihet një kompromis për të përmirësuar lirinë e lëvizjes në rajon.
“Ekspertët e Kosovës dhe Serbisë janë takuar sot në Bruksel për takimin e 7-të të GP-së për targa. Me afrimin e afatit, është urgjente të arrihet një kompromis për të përmirësuar lirinë e lëvizjes në rajon. Është përgjegjësi e të dyja palëve të bien dakord për një zgjidhje” ka shkruar Lajçak në Twitter.


Në bazë të marrëveshjes së arritur në Bruksel në mes Kosovës dhe Serbisë, nga 4 tetori i vitit 2021 ka nisur së zbatuari përkohësisht regjimi i letrave ngjitëse (stickersave), në vend të heqjes së targave të makinave të regjistruara në Kosovë dhe Serbi.
Kjo masë është paraparë të zgjasë gjashtë muaj deri në gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme për këtë çështje, për çfarë dy palët kanë formuar grupet punuese.
Grupet punuese për targat janë ngritur pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për aplikimin e masës së reciprocitetit për targat.
Një zgjidhje është paralajmëruar të ndodhë në tremujorin e parë të këtij viti.
Ndryshe, në shtator të vitit të kaluar pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjakë që lidhin Kosovën me Serbinë, për trembëdhjetë ditë qëndruan të bllokuara pasi Qeveria e Kosovës vendosi reciprocitet për tagat e veturave nga Serbia.
Pas më shumë se 13 ditë bllokade këto dy pika kufitare u liruan më 4 tetor, pas marrëveshjes së arritur në Bruksel në mes palës kosovare dhe asaj serbe.