Qeveria ka dhënë detaje për takimin që kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka zhvilluar me presidentin e Francës, Emmanuel Macron në Paris. Aty bëhet e ditur se gjatë takimit është theksuar roli pozitiv i vazhdueshëm i NATO-s në Kosovë, përkatësisht i KFOR-it, si dhe i misioneve të Bashkimit Evropian.
Po ashtu, njofton ZKM’ja, gjatë takimit është diskutuar edhe për integrimet e sigurinë në Evropë, ku, kryeministri ka theksuar se Kosova Kosova mbetet e harmonizuar plotësisht me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së.
‘’ Kryeministri Kurti foli për sigurinë e Kosovës që para së gjithash është siguri e kufijve të saj, pastaj për ngritjen e kapaciteteve vendore mbrojtëse që po bëhet, raportet me fqinjin verior Serbinë ndërlidhur me procesin e dialogut në Bruksel dhe zbatimin e marrëveshjes për normalizim të plotë, pastaj për bashkëveprimin me aleatët veri-atlantikë dhe për sigurinë rajonale në Ballkan’’, thuhet mes tjerash në komunikatë.

