Telenews

Talat Xhaferi e pranon detyrën si kryeministër i Maqedonisë së Veriut

 

 

 

Talat Xhaferi është zgjedhur kryeministër i Qeverisë teknike të Maqedonisë së Veriut, duke u bërë shqiptari i parë që do të mbajë këtë post në këtë shtet. Për zgjedhjen e ekzekutivit, që ka mandat prej 100 ditësh, votuan 65 deputetë, 3 ishin kundër dhe asnjë abstenim.

Në Qeveri sot është bërë pranim-dorëzimi i detyrës në mes të kryeministrit aktual Dimitar Kovaçevski dhe kryetarit të Qeverisë kalimtare Talat Xhaferi.

Qeveria teknike e Xhaferit ka mandat organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve parlamentare të caktuara për 8 maj.

Gjatë debatit parlamentar më herët gjatë 28 janarit, Xhaferi prezantoi programin e punës së Qeverisë, e cila do të ketë mandat prej 100 ditësh, për organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve parlamentare të caktuara për 8 maj.

Xhaferi, që më herët ka mbajtur postin e kryetarit të Kuvendit, tha se pa marrë parasysh se sa gjatë do të jetë në krye të Qeverisë, ai do të bëjë gjithçka për të përmbushur detyrimet, në përputhje me Kushtetutën dhe pritjet e qytetarëve.

“Prioritet i parë do të jetë organizimi i zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale në mënyrë të rregullt dhe demokratike. Për mua si mandatar, pa marrë parasysh nëse do ta drejtoj këtë Qeveri një ditë apo 100 ditë, unë këtë detyrë, këtë përgjegjësi dhe besimin e dhënë do ta kryej me përgjegjësi, ashtu siç kam vepruar edhe me sfidat tjera që ishin para meje. Për asnjë moment nuk do të lëshoj pe nga ajo që nënkupton Qeveri efikase, funksionale dhe përgjegjëse. Unë dhe Qeveria do të vazhdojmë të punojmë për realizimin me sukses dhe efikasitet të plotë të politikave të qeverisë”, tha Xhaferi.

Mandatari për formimin e Qeverisë teknike tha se ekzekutivi që ai do drejtojë, do të mbetet e fokusuar në agjendën evropiane dhe zhvillimin ekonomik të vendit, rritjen e pagave dhe pensioneve, uljen e çmimeve të produkteve ushqimore dhe uljen e inflacionit.

“Qeveria do të mbetet e përkushtuar në planin për rritje ekonomike, që është pjesë e planit për zgjerimin e Bashkimit Evropian…Lufta kundër ekonomisë joformale nuk do të ndalet. Do të jemi transparent në punën tonë dhe me financat publike. Problemet e qytetarëve në nivel lokal, pavarësisht se të cilës komunë i takojnë, do të kenë mbështetjen e plotë të pushtetit qendror”, u shpreh Xhaferi.

Të ngajshme

Abdixhiku: Për katër vjet, Qeveria ka krijuar vetëm 2 kilometra rrugë të reja

KushtrimGuraj

A do të rikthehet Melania Trump si Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara?

Erzana Fazliu

Haziri me metaforë për prolongimin e autostradës Prishtinë – Gjilan: Bedati i ri në shehër të vjetër nuk kalon

Erzana Fazliu