Përmes një konference për media Talat Xhaferi nga BDI tha mes tjerash se shqiptarët po përjashtohen sistematikisht nga Ministria e Mbrojtjes dhe Ushtria.
Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh shqetësim të thellë për përkeqësimin e skajshëm të përfaqësimit të shqiptarëve në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ushtrinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Në muajt e fundit, po zbatohet një politikë diskriminuese, ku shqiptarët po përjashtohen plotësisht nga pozitat kyçe, ndërsa oficerët me përvojë po degradohen.
Sipas të dhënave të fundit:
• Nga 10 drejtorë në sistematizimin e ri, asnjë nuk është shqiptar.
• Nga 12 këshilltarë në Ministrinë e Mbrojtjes, vetëm 1 është shqiptar.
• Nga 29 udhëheqës sektorësh në ministri, asnjë nuk është shqiptar.
• Nga 13 udhëheqës sektorësh në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë, asnjë nuk është shqiptar.
• Nga 30 komandantë batalionesh, vetëm 5 janë shqiptarë.
• Oficerët shqiptarë me grada të larta dhe kualifikime profesionale po degradohen ose largohen nga pozitat kyçe. Gjithashtu, situata është rënduar me:
• Ndaljen e avancimeve të oficerëve dhe nënoficerëve shqiptarë, edhe kur i plotësojnë kriteret.
• Përjashtimin sistematik të shqiptarëve nga programet e edukimit ushtarak jashtë vendit. • Rritjen e gjuhës së urrejtjes dhe retorikës nacionaliste, siç ishte rasti me SHKA “Bajram Shabani” në kazermën e Kumanovës.
Përfaqësimi i shqiptarëve në Ushtri është në nivelin më të ulët historik, duke shpërfillur parimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat. Politizimi ekstrem ka arritur kulmin, me emërime partiake në vend të kuadrove profesionale.
Gjatë mandatit 9-mujor të Presidentes Siljanovska janë avancuar dy gjeneralë:
• Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Lafçiski, u gradua në gjeneral major.
• Koloneli Çiplakovski u avancua në gjeneral brigade.
Në të njëjtën kohë, asnjë oficer shqiptar nuk është graduar në gjeneral. Përkundrazi, po promovohen gjeneralë të shkolluar në Beograd, që përkon me vizitën e fundit të Dodikut.
Situata në Shërbimin e Inteligjencës Ushtarake është alarmante: as drejtori, as tre zëvendësit e tij nuk janë shqiptarë. Për herë të parë pas shumë vitesh, në tri njësitë elitare (Ujqit, Rangerët dhe Policia Ushtarake) nuk ka asnjë komandant apo zëvendës komandant shqiptar, ndryshe nga më parë, kur shqiptarët kishin përfaqësim të dinjitetshëm.
Forcat Ajrore janë në gjendjen më të keqe që nga pavarësia. Përfaqësimi i shqiptarëve në komandat e NATO-s mbetet i papranueshëm. Modernizimi i Ushtrisë është ndalur.