Dje janë bërë dy javë prejse në Kosovë u mbajtën zgjedhjet e përgjithshme, mirëpo akoma nuk ka rezultate përfundimtare, derisa numërimi i votave të rregullta ka mbaruar të premten.
Të panumëruara kanë mbetur votat e diasporës, me kusht dhe të personave me aftësi të kufizuara. Numërimi i tyre pritet të fillojë të mërkurën. Kështu tha anëtari i PDK-së në KQZ, Arianit Elshani.
“Sot nuk nis, besoj që të mërkurën fillon”, tha ai.
Ai tha se kjo është duke u bërë sipas afateve të parashikuara nga KQZ-ja.
“Është duke u pritur skanimi, nëse e shikoni planin e aktiviteteve të miratuar nga KQZ-ja është sipas afateve”, tha ai për Express.
Nga KQZ-ja kanë thënë se numërimi i votave me kusht, të mërgatës dhe të personave me aftësi të kufizuara do të bëhet gjatë kësaj jave, mirëpo nuk kanë dhënë ndonjë datë të saktë.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se para të nisë numërimi i votave me kusht duhet të përfundojë skanimi i listës së votuesve të vendvotimeve të rregullta, për t’u siguruar se askush nuk ka votuar dy herë.
Sa u përket votave me postë, nga 9 shkurti deri më 22 shkurt janë verifikuar 60 mijë e 997 pako, prej tyre janë refuzuar 4 mijë e 50 sosh. Këtij procesi do t’i nënshtrohen edhe 7,718 pako me fletëvotime.
Në përfaqësi diplomatike kanë votuar 15,352 votues, ndërkaq në votimin përmes postës KQZ-ja ka pranuar rreth 69 mijë pako me fletëvotime.
Vota me kusht janë 12 mijë e 801, ndërsa numri i personave me nevoja të veçanta është 2,597.