Naser Pajazitaj ka raportuar në Policinë e Kosovës se shtëpia e tij ishte sulmuar me armë zjarri, në orët e para të mëngjesit të së dielës.
Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Pejës, Fadil Gashi.
“Ai ka thirrur dhe ka raportuar për të shtëna në kulmin e shtëpisë së tij. Të lënduar s’ka pasur, ndërsa vetëm janë dëmtuar dy tjegulla. Në vendin e ngjarjes kanë dalur njësitet e forenzikës dhe Prokurori. Është hapur rast për veprën “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, ka deklaruar Gashi.
I njëjti bën të ditur se lidhur me rastin nuk ka akoma të dyshuar.
Ndryshe, avokati i Naser Pajazitajt, Ahmet Tahiri, ka njoftuar se familja e klientit të tij mbrëmë është sulmuar me armë zjarri.
“Mbrëmë familja dhe shtëpia e Naser Pajazitajt është sulmuar me armë zjarri rreth orës 02:00 të mëngjesit duke traumatizuar Naserin dhe familjen e tij”, ka shkruar avokati Tahiri në një postim në Facebook,
Ai lut organet e drejtësisë, “përkatësisht Policinë dhe Prokurorinë Themelore në Pejë që sa më parë të zbulohet ky rast dhe personat që kanë kryer këtë vepër sa më parë të vihen para drejtësisë dhe te marrin dënimin e merituar!”.
Më 6 prill të këtij viti Gjykata Supreme, e ka liruar nga akuza Naser Pajazitajn, i akuzuar për vrasjen e Donjeta Pajazitajt, në nëntor të 2015-ës