Beni Dona Plast Sh.P.K është shpallur fituese e llotit të parë të tenderit për shërbime me ushqim për Policinë e Kosovës, ndonëse kompania ndodhet nën hetime mbi dyshimet për furnizim të ushqimeve me afat të skaduar për policët specialë vitin e kaluar.
Të martën, Zyra e Prokurimit në Policinë e Kosovës e ka shpallur kompaninë Beni Dona Plas Sh.P.K. fituese të llotit të parë, e cila ka çmim të poentuar 36.26 euro, bazuar në njoftimin për dhënie kontrate të publikuar në e-prokurimi.
Dy oferta ishin dorëzuar në polici për tenderin “Shërbime me ushqim (furnizim, përgatitje dhe servim) për nevoja të PK-së”. Oferta e kompanisë Beni Dona Plast Sh.P.K. është përzgjedhur fituese në bazë të tenderit të përgjegjshëm me çmim më të ulët.
Ngjarja kishte ndodhur më 5 shtator të këtij viti.
Sipas raportit zyrtar të policisë, një aksion i bastisjes në kampin e Njësitit Special të Policisë në Mitrovicë, kishte ngjarë në ditën e denoncimit të rastit.
“Ankuesit kanë njoftuar se nga operatori i kontraktuar janë sjellë produkte me afat të skaduar. Në vendin e ngjarjes përveç njësive policore kanë dalë edhe inspektorët e AUVK-ut dhe, sipas ekzaminimeve të tyre, ushqimet nuk ruheshin sipas standardeve të parapara. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori. Nuk raportohet për të arrestuar”, thuhej në raportin e Policisë.
Beni Dona Plast Sh.P.K. është pronë e afaristit Ragip Mustafa.
Veprimtaria e Mustafës shtrihet edhe në fushën e ndërtimit të objekteve banesore. Për disa vjet, ai ka zotëruar edhe aksione në Klubin e Futbollit “Prishtina”./Telenews./