Telenews

Tensionet në Kuvendin e Shqipërisë: Shumica miraton projektligjet nën gazin lotsjellës

 

 

Kuvendi i Shqipërisë nuk arriti as këtë të enjte të zhvillojë seancë të qetë.Deputetët e opozitës, mbështetës të ish-kryeministrit, Sali Berisha, bllokuan foltoren e Kuvendit duke vendosur aty karrige dhe më pas hodhën gaz lotsjellës.

Pas kësaj situate, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla përjashtoi deputetin e opozitës, Saimir Korreshi, i cili hodhi gazin lotsjellës në sallë.

Mes kaosit të krijuar, shumica votoi projektligjet e përcaktuara në rendin e ditës.

Gjashtë prej tyre, që ishin propozime të Partisë Demokratike në opozitë, u rrëzuan.

“Do ishte e udhës që deputetët e opozitës të merrnin fjalën dhe të shpjegonin qëllimet pse kanë marrë këto iniciativa ligjore. Mos u keqpërdorni nga interesi personal i një njeriu, që ka marrë peng PD-në prej 33 vitesh. Vendosja e flakadanëve dhe lëndëve kimike, është një vepër penale”, tha Balla.

Seanca u mbyll pas 20 minutash, mes tymit të shkaktuar nga gazi lotsjellës dhe bllokimit të foltores me karrige.

Ish-kryeministri Sali Berisha tha se situata e krijuar është përgjegjësi e pushtetit, që sipas tij “po asgjëson pluralizmin”.

“Kanë tmerr nga të drejtat kushtetuese të opozitës. Parlamenti po funksionon njëlloj si në diktaturë. Nevojitet rivendosja e të drejtave kushtetuese të deputetëve, dhe lejimi i krijimit të komisioneve hetimore parlamentare, që janë frenuar nga Edi Rama”, theksoi ai.

Berisha deklaroi se bllokimi i komisioneve dhe seancave parlamentare do të vijojë derisa të plotësohen kërkesat e opozitës.

Deputetët e opozitës akuzojnë shumicën për refuzimin e ngritjes së disa komisioneve hetimore, dhe se po kërkon të imponojë përfaqësuesit e opozitës në komisionin e Posaçëm të Reformës zgjedhore, kjo për shkak të përplasjeve brenda Partisë Demokratike.

Kreu i Grupit të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi, u shpreh pas mbylljes së seancës se shumica “do të vazhdojë të miratojmë ligje, dhe të Qeverisë”.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, dhe deputetët që e mbështesin atë, nuk morën pjesë në seancë, ashtu siç kanë bërë edhe në dy seancat e kaluara, ku është krijuar e njëjta situatë./Telenews/

Të ngajshme

Kosova e nis 2025-ën me deficit të skajshëm tregtar me vendet fqinje

KushtrimGuraj

Nxënësit Ajana Pllana dhe Enes Mustafa nga shkolla Marif shkëlqejnë në Barcelonë

KushtrimGuraj

Arrestohet në flagrancë një zyrtar publik në Prishtinë për marrje ryshfeti

KushtrimGuraj