Telenews

Tensioni i lartë i opozitës që kërkoi rezolutë për uljen e tarifave të rrymës – çka ndodhi në seancën që u ndërpre

Përmes një draft-rezolute, tri partitë opozitare në Kosovë kërkuan uljen e tarifave të energjisë elektrike për konsumatorët në Kosovë. Megjithatë, pas debateve në Kuvend, nuk kishte kuorum për votimin e kësaj draft-rezolute dhe seanca u ndërpre.

Në fillim të seancës së jashtëzakonshme, Ferat Shala, nga Partia Demokratike e Kosovës, që prezantoi draft-rezolutën pesëpikëshe të kësaj partie dhe dy subjekteve të tjera opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, tha se çmimet e rrymës janë “të papërballueshme” për qytetarët.

“Kjo rritje e çmimit është e papërballueshme. Prandaj, duhet zbritur kjo tarifë sepse energjia përfshihet në grupin e produkteve të nevojshme për konsum si buka, kripa, uji, vaji etj. Prandaj, edhe çmimi duhet të bëhet i përballueshëm”, tha Shala.

Sipas Shalës, për dy vjet, Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRRE) dhe Qeveria e Kosovës, shtrenjtuan çmimet e rrymës.

Përmes draft-rezolutës, po kërkohet që ZRRE-ja dhe Qeveria të ulin çmimin e energjisë “në harmoni me rrethanat socio-ekonomike dhe nivelin e çmimit të energjisë në tregun ndërkombëtar”. Po ashtu aty kërkohet të bëhet anulimi i bllok-tarifës për konsumatorët familjarë. Ndërkaq, nga Qeveria kërkohet që të ndërmarrë masa, për “krijimin e parakushteve financiare për anulimin e menjëhershëm të vendimit për shtrenjtimin e energjisë elektrike dhe lehtësimin e barrës financiare për konsumatorët familjarë të energjisë elektrike”.

Mimoza Kusari-Lira, shefe e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet, tha se ekzekutivi po punon për gjetjen e zgjidhjes për situatën në sektorin energjetik.

Megjithatë, ajo kritikoi draft-rezolutën e opozitës.

“Rezoluta e prezantuar nuk është serioze dhe nuk kontribuon në ofrimin e zgjidhjes. Kjo nuk është risi në vetvete, pasi zgjidhjet që i keni ofruar në vazhdimësi kanë qenë seancat e jashtëzakonshme për gjendjen në sektorin e energjisë, komisione hetimore për sektorin e energjisë. Ndërkaq, në vazhdimësi keni abstenuar në votime në vendimmarrje në zhvillimin e politikave në sektorin e energjisë”, tha Kusari-Lila, duke shtuar se Lëvizja Vetëvendosje nuk do të përkrahë këtë rezolutë.

Deputeti i LDK-së, Besian Mustafa, kritikoi Qeverinë e Albin Kurtit nga Lëvizja Vetëvendosje, që sipas tij, gjatë tre vjetëve në pushtet ka bërë që me shpejtësi “të rriten çmimet e çdo produkti”, dhe inflacioni i lartë, sipas tij, e ka bërë “koston e jetesës të papërballueshme për shumicën e qytetarëve”.

“Çfarë bëri kjo Qeveri për të rritur kapacitetet e gjenerimit të energjisë? Asgjë. Zero. Një megavat të vetëm nuk e shtuan në mbi tre vjet qeverisje. Nëse kjo do të ishte një garë e shteteve në Ballkan, Kosova jonë do të ishte ende e shtangur në vijën e nisjes duke qëndruar, e duke vrojtuar të tjerët duke hapërura përpara, e ne duke mos lëvizur një hap të vetëm”, tha ai.

Bllok-tarifat që janë në fuqi, sipas shefit të Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, janë diskriminuese për konsumatorët, pasi kushdo që shpenzon mbi 800 megavat paguan tre fish më shumë sesa ata që nuk e kalojnë këtë shifër të konsumit.

“Në momentin që ne do ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese, që të adresohet prej kontekstit të të drejtave të njeriut, ne do ta fitojmë rastin”, tha ai.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se gjatë Qeverisë Kurti ka pasur subvencionime të qytetarëve dhe bizneseve për energjinë e konsumuar. Sipas saj, për dy vjet është ulur konsumi i energjisë nga amvisëritë dhe është rritur ai i bizneseve, gjë që sipas saj, është “reflektim i rritjes së aktivitetit ekonomik”.

Rizvanolli tha se në thelb, çështja e bllok-tarifave është çështje e drejtësisë sociale. Ajo gjatë seancës plenare trajtoi edhe çështjen e rritjes së shpenzimit të energjisë gjatë dy muajve të fundit të vitit 2023.

“Në muajin nëntor 2023, 80 për qind e amvisërive kanë konsumuar nën 800 kilovat orë. Ndërsa, 90 për qind kanë konsumuar më pak se 1.000 kilovat orë. Pra, vetëm 10 për qind kanë konsumuar mbi 1.000 kilovat orë dhe ky 10 për qindësh ka konsumuar 25 për qind të energjisë totale të konsumuar. Në muajin dhjetor ka pasur rritje prej 49 për qind të konsumit të amvisërive në përgjithësi. Pasi t’i heqim orët pa konsum, 59 për qind nuk kanë kaluar pragun prej 800 kilovat orë, ndërsa 73 për qind nuk e kanë kaluar konsumin prej 1.000 kilovat orë”, tha ajo.

Tarifat e fundit të energjisë janë miratuar prillin e vitit të kaluar. Për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovate në orë brenda një muaji, çmimi gjatë ditës është 7.79 centë për kilovat, ndërsa për ata që shpenzojnë më shumë se 800 kilovate, pjesa mbi këtë u llogaritet me çmim prej 14.45 centësh.

Nga ora 22:00 deri në 7:00 të mëngjesit, çmimi për kilovat është 3.34 centë për ata që shpenzojnë deri në 800 kilovate dhe 6.81 centë për atë që shpenzojnë më shumë.

Të ngajshme

Osmani e ka përgëzuar USAID’in për miqësinë e palëkundur për Kosovën

KushtrimGuraj

Shkurte Fejza dhe Shaqir Cërvadiku publikojnë këngën “O Flamur”

Erzana Fazliu

Të shtënat me armë në Prishtinë: Identifikohen dy të dyshuar, njëri arrestohet

Erzana Fazliu