Kur Sokol Bashota u përball me deklaratat e Hashim Thaçit dhe Rexhep Selimit, ku ata e kishin përmendur dëshmitarin si përgjegjës për komunikatat e UÇK-së për një periudhë kohore, Thaçi ngriti dorën duke kërkuar që të konsultohet me mbrojtjen e tij.
Pas konsultimit, mbrojtja e Thaçit e përfaqësuar nga avokati Luka Mishetiq, gjyqtarit iu kërkua që të lexohej i gjithë transkripti ku tregohej që Thaçi kishte përmendur fjalën ‘supozojë’, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Sipas gjyqtarit Mettraux, Rexhep Selimi për ZPS-në në 2019-ën kishte thënë që me komunikatat deri në 97-ën ishte marrë Nait Hasani dhe pas rënies se tij në burg Sokol Bashota. Ndërsa, pas kësaj periudhe sipas asaj që tha gjyqtari, Rexhep Selimi ka thënë se nga prilli i 98-ës ishte marrë zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi dhe Hashim Thaçi.
“Kujtoj që me komunikatat-një prej peronave që është marrë me komunikatat në vitin 1997 është Sokol Bashota, por komunikatat janë hartuar kryesisht në një prej organeve që quhet “Zëri i Kosovës”. Në prill të vitit 1998 ne kemi emëruar zyrtarisht zëdhënës i cili është marrë më pasme komunikatat dhe me paraqitjet e para publike nëpër televizione i cili ka qenë Jakup Krasniqi, ndërkohë i ndihmuar dhe i suportuar nga Hashim Thaçi i cili ka pas detyrë pak më vonë komunikimin me opinionin e kështu ka vazhduar deri në fund për afërsisht”, tha gjyqtari gjatë leximit të deklaratës së Selimit.
Po ashtu, Selimi kishte thënë se nuk e din se cilën nga komunikatat e ka shkruar njëri dhe cilën tjetri. Megjithatë, Bashota mohoi shkrimin e këtyre komunikatave të UÇK-së.
“Unë po e përsërisë që asnjë komunikatë nuk e kam shkruar. Nuk e di kah kjo ide e z.Selimi për t’u përgjigjur kështu, por unë po e them edhe njëherë që unë nuk kam shkru asnjë komunikatë. Me pas shkru ndonjë herë unë, për opinion unë e kisha pranuar patjetër”, tha ai duke shtuar se ai vetë asnjë rol nuk e ka pasur që ka të bëjë me komunikatat.