Telenews

Tifozi bullgar që ‘luftoi’ 15 vjet për ta ndryshuar emrin në Manchester United

Pyet çdo tifoz të Manchester United të një moshe të caktuar se çfarë do të thotë për ta data 26 maj 1999, dhe do të të thonë se ajo ditë do t’i mbetet kujtim për gjithë jetën.

Ishte nata kur golat në minutat shtesë nga Teddy Sheringham dhe Ole Gunnar Solskjær siguruan përmbysjen historike 2-1 të Unitedit ndaj Bayern Munichut në finalen e Ligës së Kampionëve në “Camp Nou”.

Ishte gjithashtu nata që ndryshoi përgjithmonë jetën e një tifozi të United në Bullgari, i cili ndërroi jetë këtë javë në moshën 62-vjeçare.

Ky tifoz quhej Marin Zdravkov Levidzhov, i lindur në qytetin Svishtov, një vend buzë lumit Danub me rreth 22 mijë banorë.

Duke u rritur në Bullgarinë komuniste dhe duke adhuruar futbollin, ai ëndërronte të ndryshonte emrin e tij në… Manchester United.

Por të kërkoje të mbaje emrin e një klubi futbolli nga perëndimi kapitalist ishte mision i pamundur.

Po të kishte tentuar ta bënte këtë përpara rënies së regjimit, me shumë gjasë do të kishte përfunduar në burg.

Dhjetë vjet pas përfundimit të komunizmit në Bullgari – atë natë të majit 1999 – ëndrra e çuditshme e Marinit nisi të bëhej realitet.

Duke parë finalen nga shtëpia e tij modeste në Svishtov dhe me Unitedin që po humbiste, Marin i premtoi vetes: nëse United arrin ta përmbysë ndeshjen, do të bëj gjithçka për të ndryshuar emrin e tij në atë të klubit që donte. Pastaj ndodhi e pamundura.

Të nesërmen, Marin shkoi te një avokat për t’i shprehur kërkesën e tij të pazakontë – dhe kështu nisi një betejë e gjatë dhe e vështirë.

Babai i tij, nga i cili kishte trashëguar dashurinë për Unitedin, kishte vdekur prej kohësh, ndërsa Marin, atëherë 36 vjeç, jetonte me nënën e tij dhe punonte herë pas here në ndërtim për rreth 15 paund në ditë.

Me vështirësi ia dilte për jetesë, por ëndrra e tij u kthye në një obsesion.

Ai u bë shpejt tema kryesore e qytetit, e më pas një sensacion ndërkombëtar – megjithatë e prisnin 15 vite betejash ligjore dhe vendimesh zhgënjyese gjyqësore.

Fillimisht, dëshira e tij u refuzua për arsye të së drejtës së autorit: nuk mund të mbante një emër që ishte markë tregtare e njohur në mbarë botën.

Më vonë, një gjykatës lokal vendosi pjesërisht në favor të tij, duke i lejuar ta ndryshonte emrin e parë në “Manchester”, por pa përdorur “United” si mbiemër.

“Por unë nuk dua të quhem si një qytet në Angli — dua të mbaj emrin e klubit tim të preferuar,” u tha Marin gjykatës. Lufta vazhdoi.

Kur nuk ishte në gjyq, Marin kujdesej për macet e tij.

Kishte shumë në oborrin e shtëpisë në Svishtov dhe i donte po aq sa edhe “Djajtë e Kuq”.

Të gjitha u kishte vënë emra të lojtarëve të United: nga Rio deri te Rooney – ishin macet më të famshme të qytetit. Cila ishte macja e tij e preferuar? Një mace e quajtur Beckham.

Marin arriti edhe një fitore tjetër në gjykatë: iu lejua të shtonte “United” si nofkë zyrtare në kartën e identitetit.

Por ai ende nuk ishte i kënaqur. “Nuk do të ndalem derisa emri im i plotë të jetë Manchester United,” tha ai.

Historia e tij tërhoqi edhe oferta komerciale – për prodhimin e artikujve për tifozë nën emrin e tij të ri – por, pavarësisht vështirësive financiare, Marin i refuzoi, sepse nuk donte të fitonte para nga emri i klubit të tij të zemrës. Për të, emri Manchester United ishte i shenjtë.

Në vitin 2011, një dokumentar filmik e bëri ëndrrën e tij realitet: ai udhëtoi drejt “Old Trafford”, ku takoi edhe Dimitar Berbatovin, sulmuesin bullgar që luante për United në atë kohë.

Tre vite më vonë, Marin e bëri tatu stemën e United në ballë si formë proteste ndaj vendimeve gjyqësore.

Në vitet e fundit të jetës, lufta ligjore u bë gjithnjë e më e vështirë; mundësitë për punë ishin të pakta dhe ai humbi nënën e tij nga Covid-19.

Por gjeti një mënyrë për ta përmbushur betimin e tij: i lindur si katolik, u pagëzua në kishën ortodokse me emrin Manchester United Zdravkov Levidzhov.

“Të paktën Zoti do të më njohë me emrin tim të vërtetë,” thoshte ai shpesh.

Të hënën, më 13 tetor, zemra e tij pushoi së rrahuri. Ndoshta tani shpirti i Manchester United më në fund ka gjetur paqen.

Të ngajshme

“Të presim”, agjenti i Lewandowskit hap derën për një lëvizje të madhe

Valjeta Turkaj

Mundësia për ta marrë falas, Barcelona gjithashtu rivalizon top gjigantët evropianë për yllin e Bayernit

Valjeta Turkaj

PSG ofron Fabian Ruiz në këmbim të yllit të Real Madridit

KushtrimGuraj