Telenews

Tirana, mes tregjeve më të shtrenjta, qiratë e zyrave në kulla arrijnë deri në 40 euro/m²

Çmimet e qirave të zyrave në Tiranë po vijojnë të rriten në segmentin premium, ku në disa prej projekteve më të mëdha ato arrijnë deri në 40 euro për metër katror në muaj.

Sipas të dhënave nga tregu i shitblerjes së pasurive të paluajtshme, nivelet më të larta të qirave regjistrohen në godinat e biznesit dhe kullat në zhvillim ose të sapopërfunduara në zonën e qendrës.

Nga agjencia ndërkombëtare për pasuritë e paluajtshme “Colliers International Albania” në projektet pranë zonës së ish-Sheratonit (në fazë zhvillimi) çmimi maksimal i qirasë për zyra ka arritur 40 euro për metër katror, duke shënuar nivelin më të lartë në Tiranë.

Në komplekset e tjera, si “MET Tirana Building” çmimi ka arritur 33 euro për metër katror. Për 2025 çmimet e qirave për zyra, në këtë godinë varionin 20 deri 30 euro për metër katror. Ndërsa të kulla “Downtown One” çmimi maksimal zbret në 25 euro për metër katror nga 30 euro për metër katror që arriti në 2025.

Agjentët imobiliarë pohojnë se rritje të çmimeve janë shënuar në objektet si “ETC Business Toëer”, “Twin Towers” dhe “Ring Center”.

Stela Dhami nga agjencia imobiliare “Colliers Internacional Albania” thotë se rritja e kostove të ndërtimit, zhvlerësimi i euros, zhvillimet e reja urbane dhe kërkesa për standarde më të larta hapësirash pune janë ndër faktorët kryesorë që po ndikojnë në ecurinë e çmimeve në këtë segment të tregut.

Në këto projekte, çmimet e qirasë mbeten më të lartat në treg për shkak të lokacionit, standardeve të ndërtimit, administrimit profesional dhe shërbimeve të përbashkëta që ofrohen, ndërsa një pjesë e tyre vijon të jetë ende në faza ndërtimi apo përfundimi.

Burime nga tregu imobiliar theksojnë se kërkesa për hapësira zyrash moderne mbetet e qëndrueshme, veçanërisht nga kompani që kërkojnë ambiente në godina të reja dhe në zona qendrore biznesi.

Ndërkohë, në pjesën tjetër të tregut të zyrave në Tiranë, qiratë mbeten më të ulëta dhe ndryshojnë sipas zonës dhe cilësisë së objektit, duke mos arritur nivelet e projekteve premium.

Tendenca rritëse e çmimeve për qiratë e zyrave në kulla pritet të sjellë një rritje të çmimit mesatar të qirasë për vitin 2026 për zonën e qendrës.

Në 6 mujori e dytë të 2025, sipas të dhënave të raportit të “Colliers Albania çmimet mesatare të qirave për ambientet e zyrave në zonat qendrore arritën 30 euro duke u barazuar me ato të Barcelonës dhe Pragës, dy tregje të konsoliduara në Europë.

Tirana u rendit jo vetëm ndër qytetet më të shtrenjta në rajon, por edhe më lart se disa qytete të Bashkimit Europian.

Në Tiranë çmimet e qirave tejkaluan kryeqytetet europiane, si: Portugalia që shënon vlera 29 euro apo Budapesti me çmime 25.5 euro dhe Bukureshti me çmime mesatare 20 euro për metër katror në muaj.

Çmimet e qirave për zyra në 2025 ishin më larta edhe sesa kryeqytetet e rajonit. Në zonat qendrore të Beogradit çmimet arritën 18 euro për metër katror në 6-mujorin e parë të 2025-s. Në Zagreb të Kroacisë çmimet janë 17.5 dhe në Sofje të Bullgarisë 16 euro për metër katror në muaj.

Tirana u pozicionua edhe ndër qytetet më të shtrenjta edhe për çmimet e qirave në zonat sekondare. Me një mesatare prej 19 euro për metër katror në muaj, kryeqyteti shqiptar në 2025 tejkaloi disa qytete të rajonit si Beogradi (15 euro), Zagrebi (13 euro) dhe Sofia (11 euro).

Të ngajshme

Lopë të ngordhura në rrugë, pamje të pabesueshme nga një fshat i Gjilanit

Blearta

Alarm në Gjermani: Gati 10 mijë persona humbën jetën nga nxehtësia

Blearta

BE: Zbardhja e fatit të të zhdukurve mbetet element kyç i dialogut

Blearta