Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli ka reaguar pasi emri i tij u përmend vazhdimisht pasi ish-këshilltari i tij, Naim Murseli dyshohet se ka paguar dikë për ta vrarë gruan e tij.
Pacolli përmes një postimi në “Facebook” i ka quajtur analistët politik ‘skizofren’ , duke thënë se po tentojnë ta dëmtojnë imazhin e tij.
“Nga distanca shoh disa insinuata të individëve me sjellje skizofrenike që përdorin tragjedi si kjo e Liridonës për të tërhequr vëmendjen e publikut dhe për të përvetësuar ndonjë pëlqim ( like) në platformat mediatike. Është e rëndësishme të ekspozohen dhe të kundërshtohen deklaratat e paqëndrueshme, pa fakte dhe të pasakta të disa “debatuesve” apo “analistëve” që njollosin imazhin dhe reputacionin e të tjerëve”, shkroi ai.
Ndryshe dje eksperti i sigurisë, Bedri Elezi i tha Insasjderit tha se Liridona ka pasur informacione për një vepër të krimit të organizuar në kohën kur Naim Murseli ishte këshilltar i atëkohë zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacollit.
Në këtë biznes kriminal, eksperti i sigurisë thotë se përveç Behgjet Pacollit dhe Naim Murselit ishin të përfshirë edhe persona tjerë të afërt me ish-zëvendësministrin.
“Neve kishim informacion që vrasja ka të bëjë me një çështje tejet të ndërlikuar, por, për shkak se ishte situatë e tillë dhe ishin hetimet fillestare, nuk kemi dashur që të pengojmë apo ç’orientojmë pistat e hetueseve në rastin konkret. Atë informacion që neve e kemi pasur, njëherë kemi dyshuar që e ndjera ka pasur informacione, të cilat informacione mund të e inkriminojnë ish-bashkëshortin e saj tani i dyshuar në vepra të tjera si dhe persona të tjerë dhe në bazë të asaj i njëjti është ndjerë i rrezikuar dhe për atë ka marrë veprim për organizimin apo sajimin e një vrasje siç e kemi parë”, ka thënë Elezi.