Telenews

Tragjedia në Zvicër, vendi shpall 5 ditë zie kombëtare

Hetuesit zviceranë po garojnë me kohën për të bërë të mundur identifikimin e viktimave të zjarrit vdekjeprurës që përfshiu një bar në natën e ndërrimit të viteve, në vendpushimin alpin të skive Crans-Montana, ku 40 persona humbën jetën dhe mbi 100 të tjerë mbetën të plagosur.

Presidenti Guy Parmelin, ka bërë me dije se vendi do të mbajë pesë ditë zie, duke e përshkruar zjarrin si një nga ngjarjet më traumatike në historinë e Zvicrës.

“Ishte një dramë e një shkalle të panjohur. Zvicra ua ka borxh atyre të rinjve, të cilëve u ndërprenë “projektet, shpresat dhe ëndrrat” e tyre, që të sigurohej që një tragjedi e tillë të mos ndodhte më kurrë”, tha ai, duke i bërë homazh shumë jetëve të reja që u humbën dhe u ndërprenë në mes.

Zjarri shpërtheu në orën 1:30 të mëngjesit në barin Le Constellation të qytetit, por ende nuk është e qartë se çfarë e shkaktoi atë. Disa prej dëshmitarëve kanë rrëfyer se gjithçka filloi pas ndezjes së fishekzjarrët dhe shkëndijave që u vendosën në shishet e shampanjës.

Policia zvicerane paralajmëroi se mund të duhen ditë ose edhe javë për të identifikuar të gjithë personat që humbën jetën tragjikisht.

Numri i saktë i personave që ndodheshin në bar mbetet i paqartë dhe policia nuk ka specifikuar se sa prej tyre janë ende të zhdukur.

Kryeprokurorja e kantonit, Beatrice Pilloud, deklaroi se janë vendosur burime të konsiderueshme “për të identifikuar viktimat dhe për t’ua kthyer trupat e tyre familjeve sa më shpejt të jetë e mundur”.

Pilloud tha se nuk mund të komentonte mbi raportet se qirinj të ndezur kishin shkaktuar zjarrin. “Po zhvillohet një hetim. Ai do të identifikojë rrethanat e sakta të asaj që ndodhi”, tha ajo, duke shtuar se do të shqyrtojë nëse bari i plotësonte standardet e sigurisë dhe numrin e duhur të kapacitetit për të gjithë personat.

Të ngajshme

Edi Rama nderohet me medaljen më të lartë të Emirateve të Bashkuara Arabe

Valjeta Turkaj

Qëllohet gjyqtarja brenda gjykatës në Stamboll nga ish-bashkëshorti i saj

Valjeta Turkaj

Kur pritet të zbatohet tarifa 1 euro për hyrjen në Prishtinë? Flet drejtori Braha

Valjeta Turkaj