Një ngjarje tronditëse ka ndodhur pasditen e së dielës në zonën malore mes fshatrave Lubizhdë dhe Skorrobisht të Prizrenit, ku një i ri ka humbur jetën në rrethana që kanë tronditur familjarët dhe komunitetin lokal.
Sipas burimeve të Sinjali, viktima është identifikuar si Anton Tunaj, 24 vjeç, i cili dyshohet se ka ndërruar jetë pasi është qëlluar me një armë zjarri që po e provonte për ta blerë nga njëri prej shokëve të tij.
Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur rreth orës 17:30, kur dy të rinj – S. J. dhe D. B. – së bashku me viktimën, ishin ngjitur në një zonë pyjore për të testuar një armë të tipit revole.
Ata kanë deklaruar para hetuesve se se Tunaj kishte shfaqur interesim për ta blerë armën.
Sipas versionit të tyre, pasi Tunaj kishte shkrepur tri herë në tokë për ta testuar armën, papritmas kishte drejtuar revolen nga koka dhe kishte shtënë mbi veten. Të tronditur, ata janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes dhe janë paraqitur në polici për të raportuar rastin.
Menjëherë pas pranimit të informacionit, njësitet policore kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe kanë siguruar perimetrin. Ekipi mjekësor nga Qendra Emergjente ka konfirmuar vdekjen e të riut në vendngjarje.