KF Fushë Kosova ka zhvilluar një gjysmë sezoni të mrekullueshëm në Ligën e Parë të Kosovës në grupin B duke u shpallur kështu edhe kampion vjeshtor.
Padyshim që një nga më meritorët e kësaj forme është edhe trajneri, Burim Shala i cili ka udhëhequr ekipin në 9 fitore, 4 barazime duke pësuar kështu vetëm një humbje gjatë sesionit vjeshtor
Shala që prinë grupin B të Ligës së Parë të Kosovës me Fushë Kosovën me katër pikë dallim nga vendi i dytë Ulpiana, ku ka treguar synimet e tij me klubin për vitin 2023.
“Në aspektin personal viti 2022 ishte një vit i shkëlqyeshëm me performancë shumë të mirë ku me një grup pa ndonjë investim të madh me ata lojtarë që kishim në dispozicion kemi arritë të tregojmë lojëra shumë të mira.Si meritë e lojës grupore kemi këtë sukses ku me shumë meritë jemi në vendin e pare”, tha fillimisht Shala.
Shala ka treguar se kishte besim që nga fillimi që lojtarët që i drejton do të kenë sukses dhe sipas tij fakti se mbyllën sesionin vjeshtor si kampion nuk ishte aspak e papritur për të.
“Kam pas bindjen e plotë që do të jem në dy vendet e para që të jemi konkurrentë për Superligë, por normalisht nuk mund të parashikohet në fillim se në cilin vend do përfundosh në të parin apo të dytin, por e dija se do ishim aty afër dhe synimi ynë gjithmonë ka qenë Superliga, jam munduar që ta bind grupin që përpos se të jemi kampion vjeshtor të shpallemi kampion edhe në fund të kampionatit”, shtoi Shala.
“Momentet më të mira ishin këto lojët e fundit që arritëm një seri të mirë të fitoreve, sidomos ndeshja direkte për vend të parë në Ulpianë ka qenë momenti më i mirë që të ngritim besimin dhe moralin te e gjithë ekipi, besoj se jemi një ekip i padiskutueshëm për vendin e parë”, vazhdoi ai.

