Dita ndërkombëtare e luftës kundër HIV/AIDS-it e gjen Kosovën me 13 raste të reja të personave të prekur me këtë virus gjatë vitit 2023.
Shefi i repartit për sëmundje seksualisht të transmetueshme në Klinikën Infektive në Prishtinë, Murat Mehmeti, thotë për Radion Evropa e Lirë se këto raste janë paraqitur në institucion që ai udhëheq.
Aktualisht, sipas tij, aty janë duke u trajtuar dhe mbikëqyrur 65 raste në total.
Mehmeti bën thirrje për sa më shumë testime, duke theksuar rëndësinë e diagnostikimit të hershëm.
“Zbulimi i hershëm i HIV-it nënkupton edhe fillimin e hershëm të trajtimit dhe mundësinë më të vogël të paraqitjes së komplikimeve nga ky infeksion. Dihet se, nëse ky infeksion avancon dhe nuk zbulohet herët, atëherë vjen deri te dëmtimi në masë i imunitetit”, thotë Mehmeti.
Në maj të këtij viti, REL raportoi për mungesë të terapisë në Klinikën Infektive për trajtimin e personave me HIV/AIDS, por infektologu Mehmeti siguron se ky nuk është më rasti.
“Tash për tash qëndrojmë mirë sa i përket terapisë”, thotë ai.
Mehmeti, po ashtu, thekson se shumica e rasteve të reja të të infektuarve janë meshkuj të moshave të reja.
Vitin e kaluar, në Kosovë u shënuan 17 raste të reja me HIV/AIDS – shifër që paraqiti dyfishim rastesh në krahasim me vitin 2021 kur ishin regjistruar tetë të tilla.
Testime për HIV/AIDS në Kosovë bëjnë edhe disa qendra jashtë Infektives, përfshirë Qendrën për Këshillim dhe Trajtim të Varësisë “Labirint”.
Virusi HIV e dëmton sistemin imunitar të personit të prekur, duke e lënë atë të ekspozuar ndaj infeksioneve të rënda.
Ai mund të transmetohet nëpërmjet shkëmbimit të lëngjeve të ndryshme trupore nga individët e infektuar.
Rasti i parë me HIV/AIDS në Kosovë është paraqitur në vitin 1986 dhe që atëherë rreth 50 persona kanë humbur jetën.
Kosova radhitet në mesin e vendeve me shkallë më të ulët të HIV/AIDS-it.
Por, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, HIV-i mbetet një problematikë e madhe sa i përket shëndetit publik.
Sipas të dhënave të OBSH-së, në fund të vitit 2022 kanë qenë 39 milionë njerëz të prekur me HIV/AIDS – shumica prej të cilëve në rajonin e Afrikës./Telenews/