Minatorët e Trepçës vazhdojnë të përballen me vonesa në ekzekutimin e pagave. Atyre nuk u ka dalë akoma paga e muajit qershor, ndonëse tash do të duhej ta merrnin atë të muajit korrik. Sindikata e Minatorëve ka thënë se interesimi i qeverisë, ministrisë dhe bordit të ndërmarrjes për fatin e minierës dhe minatorëve, është zero. Menaxhmenti i kësaj ndërmarrje dhe Ministria e Ekonomisë kanë heshtur për këtë çështje, ndonëse situata e njëjtë përsëritet që nga viti i kaluar.
Hiç më larg se në fund të majit të këtij viti, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, mburrej në Facebook, duke thënë se gjatë qeverisjes së tyre fitimi i ndërmarrjeve publike po rritet.
Rizvanolli kishte thënë se 17 ndërmarrjet publike të cilat i raportojnë Ministrisë së Ekonomisë kanë mbyllur vitin 2022 me 101,41 milionë euro fitim, “rritje domethënëse në krahasim me fitimin prej 21.3 milionë në vitin paraprak”.
“Dita ditës, fitimi i ndërmarrjeve tona publike po rritet, performanca e tyre po përforcohet e shërbimet e tyre po përmirësohen!”, kishte shkruar Rizvanolli.
Mirëpo, kjo duket se nuk vlen edhe për Ndërmarrjen Publike “Trepça”, e cila tash e një kohë nuk po arrin të sigurojë as pagat për punëtorët e saj. Minatorëve ende nuk u janë ekzekutuar pagat e muajit qershor, ani pse tashmë janë afruar ditët kur ata do të duhej ta merrnin pagën e korrikut.
Për këtë dje ka njoftuar Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës, e cila ka akuzuar menaxhmentin, bordin, Ministrinë e Ekonomisë dhe Qeverinë për mosinteresim për fatin e kësaj ndërmarrje dhe minatorëve.
Një qasje e tillë refuzuese ndaj ndërmarrjes Trepça Sh.A dhe minatorëve, duke i lënë të njëjtit buzë humnerës dhe duke ia pamundësuar ekzekutimin e pagave gati për dy muaj nën këto kushte të rënda financiare të minatorëve përben shqetësim serioz dhe sfidë që kërkon zgjidhje të menjëhershme”, është thënë në reagimin e sindikatës.
Nga kjo sindikatë kanë paralajmëruar edhe mundësinë e migrimit jashtë vendit të minatorëve.
“Ta dini se një qasje e tillë ndaj minierës Trepça Sh.A dhe minatorëve të saj nga qeveria dhe ministria e saj paraqet rrezik serioz që të gjithë minatorët të gjejnë zgjidhje tjera apo edhe të migrojnë jashtë vendit.
Nga Bordi dhe menaxhmenti i Trepçës nuk janë deklaruar ende për arsyet e vonesës së ekzekutimit të pagave për minatorët. Gazeta Express ka dërguar pyetje për të marrë informacione se pse kjo situatë po përsëritet tash e disa herë dhe se kur do t’u ekzekutohen pagat minatorëve, por deri në momentin e publikimit të tekstit nuk ka marrë përgjigje. Përgjigje s’ka kthyer as Ministria e Ekonomisë.